​Octopus: Serbia mund të jetë e interesuar për ndeshjen Kosovë – Izrael

min lexim

Në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet më 12 nëntor, Instituti “Octopus” ka apeluar tifozët që të tregojnë qëndrim dinjitoz dhe të paanshëm politikisht, pas luftës në Gaza.

Përmes një shkrimi në Facebook, “Octopus” thekson se në këtë ngjarje konteksti rajonal politik ka po ashtu rëndësi të madhe, dhe se nuk duhet ta nënvlerësohet interesi i madh të Serbisë që ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit të përfshihet nga thirrjet me karakter thellimin e urrejtjes. Sipas Institutit, një gjë e tillë do të çonte në dështimin e pashmangshëm të seriozitetit të organizimit dhe të dëmtimit të pariparueshëm të imazhit të Kosovës në botë.

Postimi i plotë:

Ndeshja Kosovë – Izrael në prizmin e diplomacisë publike dhe sigurisë

UEFA më herët njoftoi se ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, fillimisht e paraparë të mbahet me 15 tetor, tani do të luhet me 12 nëntor. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për kualifikimet në EURO 2024, në kuadër të grupit I.

Tribunat sportive shpesh herë janë shndërruar në manifestim të pikëpamjeve dhe ngjarjeve të stërngarkuara politike, ku urrejtjet ndëretnike dhe problemet e trashëguara gjeopolitike janë bartur dhe shprehur në vende që normalisht duhet të ishin arena vetëm për mbështetje sportive. Nga këto skena, që me raste kanë dalë krejtësisht nga kontrolli në aspektin e sigurisë dhe të mbarëvajtjes, kemi parë që kanë dominuar fyerje në pikëpamje etnike, racore, fetare, regjionale dhe personale.

Përveç që e zbehin madhështinë dhe bukurinë e ngjarjes sportive, këto skena krijojnë pasoja edhe në imazhin e vendit, dhe lëkundin kredibilitetin e organizatorit se mund të ofrojë ambient të këndshëm sportiv dhe të ngritet në nivelin e nikoqirit serioz të këtyre ndeshjeve me rëndësi ndërkombëtare.

Duke marrë në konsideratë ngjarjet e 7 tetorit në Izrael, ndeshja futbollistike mes Kosovës dhe Izraelit tanimë e ka edhe një dimension të padiskutueshëm diplomatik, ku përveç organizimit sportiv e logjistik, edhe qëndrimi dinjitoz dhe i paanshëm politikisht i tifozërisë kosovare do të ishte një shenjë maturie dhe vetëdije të lartë politike dhe qytetare.

Mbështetja sportive për Kosovën më 12 nëntor duhet të jetë e pandikuar nga qëndrime dhe ngarkesa potencialisht të dëmshme në kuptimin diplomatik për Republikën e Kosovës. Në kohën kur Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme institucionale, diplomatike dhe politike për të avancuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe për të projektuar imazhin e mirë në botë, shmangia nga çfarëdo lloj qëndrimi politik në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” vetëm sa do t’i shërbente interesit të vendit.

Diplomacia si kocept modern ka tani më karakter shumë më të gjerë se pikëpamjet e ngushta fillestare për të, dhe diplomacia publike, ku ngjarjet e rëndësishme të futbollit janë në qendër të saj, luajnë një rol të padiskutueshëm në avancimin e pozitës dhe imazhit të vendit në botë. Në këtë logjikë, kjo është një mundësi e mirë për të kontribouar në përmirësimin e imazhit tonë në arenën ndërkombëtare, duke shfaqur vlerat tona karakteristike, si mikpritja dhe respkti.

Në këtë ngjarje konteksti rajonal politik ka po ashtu rëndësi të madhe, dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë interesin e madh të Serbisë që ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit të përfshihet nga thirrjet me karakter thellimin e urrejtjes, çka do të çonte në dështimin e pashmangshëm të seriozitetit të organizimit dhe të dëmtimit të pariparueshëm të imazhit të Kosovës në botë. Prandaj tifozëria kosovare nuk duhet të bie ne provokime nga infiltrime potenciale të elementëve të dyshimtë me qëllime për ta dëmtuar Kosovën. Serbia punon me kapacitet të plotë për dëmtimin dhe sabotimin e shtetit të Kosovës, dhe ngjarja e 12 nëntorit nuk bën aspak përjashtim.

Madje, edhe diskursi publik, i cili kryesisht shfaqet në rrjete sociale, duhet të jetë i kujdesshëm. Serbia prodhon lajme dezinformuese duke shpifur tërësisht, e lëre më ta fusë një “të vërtetë” që i konvenon asaj në mesin e tri gënjeshtrave.

Pozicionimi publik i kujtdo për luftën në Gaza, nuk e ka asnjë peshë për ngjarjet atje, as për viktimat e cilësdo palë e as për agresorët e cilësdo palë. Së këndejmi, pozicionimi publik shërben vetëm për dëmtimin e interesit nacional në Kosovë, sepse ai do të përdoret pa përtesë nga kreatorët e luftës hibride serbo-ruse në dëm të vendit e popullit tonë.

Na bën të besojmë se, edhe organet tona të sigurisë kanë marrë hapat e duhur për t’i mos lënë hapësirë sabotatorëve armiqësorë shqiptarë për ta fabrikuar ndonjë incident. Askush më shumë sesa Serbia nuk është i interesuar për një gjë të tillë. Ndoshta, vetëm Rusia është më e interesuar për çfarëdo shkëndije zjarri.

Në kësi rasti, dëmi për Kosovën do të ishte me përmasa të paparashikueshme, kjo për më tepër kur e dimë së sytë e medias ndërkombëtare do të jenë shumë më shumë te koncentruar në këtë ndeshje, për shkak të ngjarjeve në zhvillim e sipër në rajonin e Lindjes së Mesme.

Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë ngjarje për të përkrahur Kosovën në tribunat e stadiumit, por edhe për të manifestuar vetëdijen politike, duke dëshmuar qartë se dimë t’i shmangemi ndonjë rrëshqitje të panevojshme në tema potencialisht të dëmshme për vendin tonë, si në kuptimin diplomatik edhe në atë sportiv.

Story i mëparshëm

Zbardhet ngjarja e rëndë në Kurbin/ U tha se ishte rrëzuar aksidentalisht, 28-vjeçari përplasi me makinë burrin dhe më pas u largua

Story i radhës

U17/ Kosova pëson edhe ndaj Anglisë

Të fundit nga