Octopus për fushatën zgjedhore në Serbi: Shqetësuese, nuk i shërben paqes e as stabilitetit rajonal

min lexim

Gjendja aktuale në Serbi është shumë shqetësuese dhe nuk i shërben aspak paqes dhe stabilitetit rajonal, pasi fushata për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi po zhvillohet në një atmosferë të rënduar nga qasja intimiduese e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), shkruan Instituti Octopus.

Sipas Institutit, është evidente se Serbia po përballet me një situatë aspak normale dhe thellësisht jodemokratike ku strukturat e aparatit shtetëror dhe grupet kriminale janë angazhuar t’ia ngushtojnë veprimtarinë politike rivalëve për t’i dëmtuar sa më shumë politikisht.

“Ka raportime të vazhdueshme edhe për blerje të votave; kjo u konfirmua edhe nga disa videomateriale të publikuara në rrjete sociale. Retorika zgjedhore në Serbi po shënohet edhe nga një diskurs me gjuhë të ashpër nacionaliste, ku veçohen thirrjet publike kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Në mënyrë që të konsolidojë radhët e votuesve pushteti në Serbi ka intensifikuar përpjekjet propaganduese kundër Kosovës; si gjithmonë sipikasin referencat pseudohistorike, ku riprodhohen deklaratat me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Fushatën zgjedhore po e karakterizon edhe një retorikë antiperëndimore dhe aspak premtuese e eksponentëve të lartë shtetërorë atje, sidomos kundër NATO-s si dhe individëve të caktuar”, thuhet në reagimin e Institutit Octopus, transmeton KosovaPress.

E ndër bartësit kryesorë të diskursit primitiv, Octopus veçon presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq, ministrin e punëve të jashtme Ivica Daçiq, si dhe një sërë zyrtarësh të tjerë me pozita të larta politike.

E ndër temat më të shpeshta me karakter nacionalist primitiv, sipas Institutit, janë mohimi i pavarësisë së Kosovës, pretendimet e pabazuara historike, narrativa viktimizuese serbe, si dhe gjuha dehumanizuese dhe fyese kundër shqiptarëve.

“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e zgjedhjeve të 17 dhjetorit – ngase nga shumica e re parlamentare do të dalë edhe qeveria e ardhshme në Serbi – mund të konstatohet se gjendja aktuale në Serbi është shumë shqetësuese dhe nuk i shërben aspak paqes dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në fund. 

Story i mëparshëm

Trepça mobilizohet që ta mposhtin liderin e Superligës

Story i radhës

Bylisi mposht Vorën

Të fundit nga