OBRM-PDUKM: Fshihen kompani ndërtimit, banesa dhe shtëpi, Musliu dhe avokati Jevtiq nuk kanë dorëzuar fletë anketimi

October 25, 2022
1 minut lexim

OBRM-PDUKM sot ka prezantuar personat që janë pjesë të funksionarëve, siç thonë, të kyçur në aferën “Pronat Sekrete”. Sipas opozitës maqedonase bëhet fjalë për njerëz që kanë relacione të drejtpërdrejta me kreun e qeverisë.

Eksperti dhe analisti politik Albert Musliu, Avokati Ivica Jevtiq, Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, Valentin Gruevski, dhe anëtari i Këshillit drejtues në Shtëpinë e Shëndetit në Berovë, Novica Peçinski, janë katër nga 123 emrat, për të cilët OBRM-PDUKM-ja pretendon se kanë prona sekrete në vlerë prej 30 milionë euro.

OBRM-PDUKM për Albert Muslin thotë se rregullisht i mbron qëndrimet e LSDM-së dhe se pesë vite nuk ka dorëzuar listë anketuese në Komisionin Antikorrupsion.

Sipas OBRM-PDUKM-së, Musliu posedon shtëpi në Shkup me 118 m2 dhe banesë në Qendër prej 81 m2, por edhe paraqitet si themelues dhe pronar I më shumë shoqatave civile.

Sipas OBRM-PDUKM-së listë anketuese nuk ka dorëzuar edhe Avokati Ivica Jevtiq, i cili njëkohësisht është anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës për azilkërkues, por edhe Drejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Valentin Gruevski, për të cilin thonë se posedon shtëpi në Manastir kurse bashkëshortja e tij shtëpi në Resnjë.

Për Novica Peçinskin nga Berova opozita drejton akuza se fsheh një shtëpi të madhe në Berovë dhe një veturë Wolkswagen në emër të tij.

OBRM-PDUKM bën thirrje që institucionet ta hulumtojnë pronën e tyre, por edhe nëse kanë pronë tjetër që është e familjarëve të tyre duke theksuar se do të vazhdojnë me publikimin e detajeve tjera.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ursula von der Leyen nesër vjen në Shkup, do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit

Story i radhës

RMV, numër i ulët i testimeve dhe të infektuarve, më shumë të shëruar në 24 orë nga kovidi

Të fundit nga

ShkoLartë