OBI dënon tenderin për ndërtimin e banesave të reja ilegale në Bregun Perëndimor

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar hapjen e tenderit nga Izraeli për ndërtimin e banesave të reja në njësitë e vendbanimit të paligjshëm në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu.

OBI bëri një deklaratë me shkrim lidhur me hapjen e tenderit nga qeveria izraelite nën udhëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu, për ndërtimin e 1.029 banesave të reja të paligjshme në njësitë e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim.

Në deklaratë thuhet se “politika koloniale e vendbanimeve” është e paligjshme dhe shkel ligjet dhe rezolutat ndërkombëtare, kryesisht rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), (vendimi që i bën thirrje Izraelit të ndalë menjëherë dhe plotësisht aktivitetet e vendbanimeve që janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar).

Po ashtu në deklaratë dënohet edhe miratimi nga Parlamenti izraelit i ligjit i cili do të rihapë 4 njësi të vendbanimeve të paligjshme hebreje të cilat ishin evakuuar në vitin 2005 në Bregun Perëndimor nën pushtim. Lidhur me këtë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur zbatimin e vendimeve të marra si dhe sulmet dhe shkeljet kundër popullit të Palestinës.

Lëvizja e organizatës së shoqërisë civile izraelite “Peace Now” (Paqe Tani) më 24 mars deklaroi se qeveria izraelite nën udhëheqjen e Benjamin Netanyahut ka hapur tender për ndërtimin e 1.029 banesave të reja të paligjshme në njësitë e vendbanimeve në Kuds dhe Bregun Perëndimor nën pushtim.

Ndërsa Parlamenti izraelit më 21 mars miratoi ligjin i cili do të rihapë 4 njësi të vendbanimeve të paligjshme hebreje të cilat ishin evakuuar në vitin 2005 në Bregun Perëndimor. Ligji në fjalë synon rikthimin e rreth 10 mijë kolonëve të cilët ishin nxjerrë në vitin 2005 nga njësitë e vendbanimeve në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.





Story i mëparshëm

​Gashi: Spanja në mënyrë të poshtër na përjashtoi nga Evropiani i Karatesë

Story i radhës

Të shtënat me armë në Tiranë, u qëllua në drejtim të banesës së zyrtarit të OSHEE-së

Të fundit nga