Shtatori edhe sivjet ka nis me probleme për prindërit që kanë fëmijë me aftësi të veçanta. Mbështetja financiare për këta prindër akoma nuk është lëshuar, pasi Ligji për shkollat e mesme, konkretisht pjesa që rregullon asistencën për nxënësit me aftësi të kufizuara, nuk ka kaluar në Parlament. Si pasojë e kësaj, këta nxënës akoma nuk e kanë nisur mësimin në shkolla inkluzive – gjithëpërfshirëse, pasi mungon ndihma për vajtje në shkolla dhe anasjelltas – kthimi, kushtet për qëndrimin në klasa të këtyre nxënësve.
Nga MASH, përveç heshtjes, nuk tregojnë as edhe sa fëmijë me aftësi të veçanta duhet të ndjekin mësimin, sidomos në shkolla gjithëpërfshirëse. Arsyetohen se këtë informacion mund të publikojnë vetëm në fund të muajit shtator, pasi të kenë marrë raportet nga shkollat.
Erato Kardula është njëra nga shumë nxënëset që po ka nis të shkojë në shkollë të mesme në Shkup. Por, jo në shkollë normale. Ajo po ndjek mësimin në shkollë speciale për fëmijë me nevoja të veçanta. Prindërit e saj janë ndër të paktit që ngritën zërin madje 10 vite më parë dhe luftuan zëshëm për vajzën e tyre. Edhe pse me shumë vështirësi dhe peripeci. Pas përfundimit të klasës së nëntë, ajo u deshtë të regjistrohej në një nga shkollat e vendit për nxënës me aftësi atipike. E ëma e saj, Domnika Kardula thotë që ata si prindër, atëkohë kishin dilema të vazhdueshme nëse duhej të pajtoheshin me këtë zgjidhje, por këtë radhë i kursyen vetes së tyre një problem të madh.
Megjithatë, mbulimi i shpenzimeve është ende një problem i pazgjidhur dhe sigurimi i një asistenti varet nga implementimi i Ligjit për shkollat mesme. Nuk kishte deri në klasë të nëntë, deri atëherë kur Eratos më në fund ju mundësua të kishte një asistent të veçantë. Megjithatë, tani që Erato ka nis shkollimin e mesëm, familja e saj nuk beson se mund të sigurohet një asistent që do të jetë në “shërbim” të vajzës së tyre. “Çdo 1 shtator për neve sjell një stres të madh duke mos e ditur se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim. Dëshira jonë është që çdo gjë të zgjidhet përmes institucioneve dhe të shkojë mirë. Sidoqoftë, ne jemi mjaft të vetëdijshëm se edhe pas shumë vitesh beteje mes sëmundjes së vajzës sonë dhe sistemit, realisht nuk ekziston asnjë dëshirë e sinqertë apo mirëkuptim nga asnjë institucion”, shprehet e zhgënjyer nëna e sajë, Domnika Kardula.
Në gusht të këtij viti, disa komuna të vendit shpallën thirrje publike për punësimin e edukatorëve special në shkolla të mesme për vitin akademik 2022/2023 për një periudhë 9 mujorëshe dhe një shumë bruto prej 9000 denarëve. Kjo thirrje përfshin nevojën për dhjetëra edukatorë që në fakt është shumë pak krahas nevojës. Është projektuar që ky proces punësimi bëhet përmes bashkëpunimit të Agjencisë për Punësim, UNDP-së dhe programit për shërbim në komunitet.