Një profesor i edukatës fizike në Teksas, është ndjekur dhe rrahur brutalisht nga një grup nxënësish të shkollës së mesme, të cilët i thyen kraharorin gjatë sulmit që u dokumentua me një video.
Sulmi ka ndodhur në ambientet e shkollës së mesme Langham Creek në Houston, ku nxënësit e shkollës së mesme Aragon sulmuan arsimtarin që njëherit ushtron edhe detyrën e trajnerit të bejsbollit, i cili u identifikua si Michael Shott.
Videoja e realizuar me telefon dhe e publikuar në rrjete sociale, shfaq Shott duke vrapuar me tërë forcën për t’i shpëtuar më të keqes – megjithatë grupi i nxënësve arrijnë ta zënë dhe grushtojnë e shqelmojnë.
Madje në një moment sulmuesit e përplasin për tokë, por ai ngritet shpejtë dhe vazhdon vrapimin në drejtim të parkingut.
E ëma e trajnerit ka thënë se i biri i saj ka pësuar thyerje të kraharorit. Megjithatë, nuk dihet nëse ndonjëri prej nxënësve është arrestuar nga policia.