Për herë të parë Kosovën do ta vizitojë Sekretari Gjeneral i FIBA Botës apo numri një i basketbollit në botë, Andreas Zagklis. Ai do të vizitojë vendin tonë më 6-7 tetor, ku do të jetë i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare, më 6 tetor në Mitrovicë, si dhe do të takohet me krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), por edhe krerët e shtetit të Kosovës.
Zagklis është një mbështetës i madh i basketbollit të Kosovës, duke përkrahur projekte të ndryshme, si dhe FBK-në, ku në shumë raste e ka lavdëruar punën që bën Federata.
Ndërsa, kjo është vizita e parë e Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, më herët vendin tonë, e ka vizituar Turgay Demirel, President i FIBA Evropës dhe nënkryetar i FIBA-s.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për rëndësinë që ka vizita e Zagklis në vendin tonë.
“Vizita e Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, z. Andreas Zagklis në Kosovë është e rëndësisë së veçantë, pasi kjo është hera e parë që numri një i basketbollit në botë e viziton Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Ardhja e tij konsiston me mbështetjen e fuqishme që Zagklis e ka për Kryetarin Fetahu dhe Bordin e FBK-së në punën tonë të përbashkët për zhvillimin e sportit tonë të zemrës, basketbollit.
FIBA e ka dëshmuar mbështetjen e fuqishme për FBK-në nëpërmjet projekteve më të rëndësishme si Hartimi i Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025, Edukimi i Trajnerëve, Licencimi i Klubeve, mbështetja e kuadrove të FBK-së për edukim si administrator dhe menaxher të sportit, si dhe projekteve për zhvillim të gjeneratave të reja, e në veçanti zhvillimit dhe masivizimit të basketbollit ndër vajza.
Ne jemi shumë të lumtur që z. Zagklis krahas takimeve institucionale, do të jetë i pranishëm edhe në finale të Superkupës Mbarëkombëtare, ku do të ketë rastin të jetë dëshmitar i një organizimi të nivelit të lartë organizativ nga FBK dhe KB Trepça”, ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.