Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza rritet në të paktën 900

Numri i palestinezëve të vrarë në Gaza është rritur në të paktën 900 mes sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se ndër palestinezët e vrarë nga sulmet izraelite janë 260 fëmijë dhe 230 gra, ndërsa janë plagosur 4.500 të tjerë.

Ministria theksoi se 150 anëtarë të 22 familjeve u masakruan.

Duke theksuar se Izraeli ka në shënjestër edhe punonjësit e shëndetësisë, ministria tha se deri më sot gjashtë punonjës shëndetësor janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në Gaza, ndërkohë tetë gazetarë kanë humbur jetën në bombardimet e vazhdueshme të ushtrisë izraelite.

Izraeli vazhdoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës për të tretën ditë, pas një sulmi në shumë fronte të Hamasit në qytetet izraelite pranë territorit bregdetar. Hamasi tha se sulmi ishte në përgjigje të shkeljeve izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve ndaj palestinezëve.

Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore në Rripin e Gazës dhe vendosi një bllokadë të plotë në territorin që është shtëpia e afër 2.2 milionë banorëve.

Sot më herët, ushtria izraelite tha se filloi sulme masive ajrore kundër mbi 100 objektivave në Gaza dhe se forcat e saj vranë katër persona të armatosur palestinezë që u përpoqën të depërtojnë në Izrael.

Forcat izraelite granatuan anijet palestineze në portin e Gazës, duke lënë në flakë një numër varkash.

Ushtria izraelite gjithashtu tha se ministri i Ekonomisë i Hamasit, Juad Abu Smallah, u vra në një sulm ajror në qytetin Khan Younis në Gaza.

Hamasi më vonë konfirmoi se dy zyrtarë të saj u vranë në sulmet izraelite në Gaza. Grupi u hakmor duke lëshuar breshëri raketash në qytetet qendrore të Izraelit, duke përfshirë qytetet Ashkelon, Tel Aviv, Beersheba dhe Rishon LeZion.

Hamasi tha se kishte bombarduar qytetin Ashkelon me qindra raketa në përgjigje të zhvendosjes së civilëve në Gaza. Lëvizja palestineze gjithashtu tha se hodhi raketa drejt aeroportit Ben Gurion.

Mbi 1.800 persona janë vrarë në përshkallëzimin e fundit që nga e shtuna, përfshirë mbi 1 mijë izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të përdorë të gjithë forcën e Izraelit për të shkatërruar aftësitë e Hamasit dhe për t’u “hakmarrë për këtë ditë të zezë”.





Story i mëparshëm

Bilall Kasami si zëdhënës i Hristian Mickoskit!

Story i radhës

Mali i Zi nuk ka ekstraduar ende dy të arrestuarit për krime lufte

Të fundit nga