E ftuar në emisionin “Log.” në News24, aktivistja Edlira Çepani komentoi rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve të 11 majit, duke analizuar performancën e opozitës në raport me pritshmëritë dhe frymën për ndryshim.
Sipas Çepanit, partitë opozitare dështuan të kthejnë në vota dëshirën për një alternativë ndaj qeverisë:
“Partitë e opozitës nuk arritën të kapitalizojnë dëshirën për ndryshim apo një alternativë pak më ndryshe. Menduan se, duke qenë se mandati ishte i katërti, po luanin me një portë bosh, por kur nuk e merr seriozisht mjaftueshëm, topi del jashtë.”
Ajo kritikoi qasjen sipërfaqësore të opozitës ndaj elektoratit, duke theksuar se nuk mjafton të presësh që rotacioni të vijë vetë:
“Nuk mund të ecësh me idenë se ka kaq mandate PS dhe është radha e tjetrit. Elektorati duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur. Për çdo votë duhet të luftohet deri në fund.”
Çepani shtoi se rotacioni politik kërkon ose një frymë të fortë qytetare, ose një ndryshim të thellë në sistemin elektoral që të mos lejojë skemat e tanishme që dëmtojnë garën reale.
Burimi: botasot.info