Ditën e nesërme, kandidati për President, Bajram Begaj pritet të heqë dorë nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe grada gjeneralmajor përpara votimit në Parlament.
Dorëheqja e tij nga Forcat e Armatosura, “detyrohet” nga neni 89 i Kushtëtutës, e cila përcakton se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike. Ndërsa gradën gjeneralmajor, mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.
Por dorëheqja e tij nga detyra dhe grada nuk janë kaq të thjeshta. Bajram Begaj ka marrë detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së si dhe gradën gjeneralmajor me anë të dekreteve nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Pikërisht këtu buron edhe mundesia qe kjo te sjelle nje diskutim procedurial, sepse në këtë rast dorëheqja e tij për shkak të gradës Gjeneralmajor dhe detyrës së Shefit të Shtabit të Ushtrisë shqiptare, duhet të pranohen përpara votimit në Parlament edhe nga Presidenti i Republikës. Edhe pse nuk duket që të ketë ndonjë frymë apo konjukturë për të krijuar një ngërç procedurial në këtë situatë, një skenar i tillë është gjithësesi i mundshëm.
Një rrethanë që mund të mos jetë në favorin e Begajt, është pikërisht qëndrimi që ai mbajti gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama mbrëmjen e sotme në Kryeministri. Begaj e bëri thuajse fakt të kryer se ai do të marrë postin e Presidentit, pa i marrë parasysh hapat proceduriale që duhen ndjekur deri në fund.
“Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi, do të përpiqem të jem në lartësinë e detyrës për kryerjen e saj. Vij nga ushtra dhe mjekësia dy profesione të mira dhe besoj se nëse do të votohem nesër nga parlamenti do të jem i lumtur për kryerjen e detyrës. Për ushtarakun, nderi, detyra dhe atdheu janë motoja e punës. Do jem 24/7 në shërbim të kësaj motoje” – u shpreh Begaj gjatë takimit me Kryeministrin Rama.
Nga ana tjetër Meta ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi dhe ndoshta mund të mos jeteë nesër në Tiranë, derisa të fillojë seanca e votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.
Begaj është ushtarak, madje nr. 1 i hierarkisë së saj, ndaj edhe nuk mund te largohet nga posti dhe grada, pa u bërë formalizimi i saj sepse po t’i referohemi gërmës së rregullave të ushtrisë ky akt mund të konsiderohet ndoshta edhe si një “dezertim”.
Këto paqartësi pritet që të sqarohen gjatë së shtunës së 4 qershorit që është caktuar nga Kuvendi si dita për zhvillimin e seancës plenare të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Nisur nga këto paqartësi, mazhoranca duhet të kryqezojë gishtat, që gjithçka të shkojë sipas parashikimeve të saj më optimiste!