Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia do të zbatojë paktin për kalimin detar nga ngushticat e saj për të parandaluar një përshkallëzim të luftës, por duke theksuar gjithashtu se nuk mund të braktisë lidhjet e saj me Rusinë.
Turqia, duke e konsideruar pushtimin e Rusisë si “luftë” lejoi aktivizimin e neneve, që sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 1936, do të kufizonte kalimin e disa anijeve ruse nga ngushticat turke. Turqia ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë dhe ka lidhje të mira me të dyja vendet.
Duke folur pas një takimi të kabinetit, Erdogan kritikoi atë që ai e quajti qëndrimin “të pavendosur” të SHBA-së dhe fuqive perëndimore ndaj pushtimit të Ukrainës, duke thënë se qasja ishte një shenjë e një rendi ndërkombëtar të dështuar.
Ai tha se Turqia nuk do të bëjë kompromis nga angazhimet ndaj aleancave të saj, duke përfshirë NATO-n, por tha gjithashtu se nuk mund të kthejë mbrapsht “interesat kombëtare” në rajonin e saj në lidhje me “miqësinë” me Rusinë. Ai përsëriti se e konsideronte pushtimin rus të papranueshëm.