Gazetare: Ajnur Bafqari
Numri i të prekurve nga gripit stinor ndryshon nga java në javë. Në Klinikën për sëmundjet e mushkërive tek fëmijët “Kozle” situata është e qëndrueshme. Mjekja, Mirjana Popovska thotë se në dy javët paraprake kryheshin deri në 200 kontrolle në ambulancë në ditë, ndërsa tani deri në 120.
“Edhe pse mund të them se gjendja është stabile, nuk është alarmante, të paktën tek ne në klinikë. Në këtë periudhë kemi vende të lira në spital dhe kam përshtypje se numri në ambulancë dhe tek fëmijët e shtruar në spital, në javën e fundit apo 10 ditët e fundit, si të jetë qetësuar, si të jetë ulur, për dallim prej dy javëve paraprake, ku kishim shumë më shumë kontrolle që arrinin deri në 200, ndonjëherë edhe mbi 200, tani numri lëviz rreth 100 deri në 120. Kjo është relative, mund të ndryshojë dhe të jetë shumë më e lartë”, deklaroi Mirjana Popovska, mjeke.
Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, që i referohet javës së katërt të muajit janar, numri i pacientëve të prekur nga virusi është rritur për 9,5 për qind. Qytetarët thonë se janë të vetëdijshëm se gripi është akoma prezent dhe duhet pasur kujdes.
“Gripi stinor ende është prezent, nëpër shkolla, mbesa ime është në klasë të parë dhe po, ka grip nëpër shkolla, nëpër çerdhe, ende duhet pasur kujdes. Ndoshta duhet të mbahen maska mbrojtëse…”, tha një qytetar.
“Kujdes duhet të kemi rregullisht, patjetër, vetëm se edhe koha e bën të veten…Ne e kemi pasur gripin pothuajse të gjithë, unë e përballoj më shumë, me lëvizje pak më lehtë e kam kaluar, se përndryshe pak ma keq e kanë përjetuar ata”, u shpreh një tjetër qytetar.
Deri më tani që nga fillimi i sezonit të gripit janë regjistruar 7 viktima, prej tyre dy foshnja. Ndërsa sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i përgjithshëm i të prekurve me grip për këtë sezon shkon mbi 7000 pacientë, që është një rritje prej 37 për qind krahasuar me sezonin e kaluar. /Alsat.mk
Burimi: alsat.mk