Lionel Messi ka lamtumirën që ka dëshiruar. Ose të paktën, ka të ngritur skenën. Të dielën do të luajë finalen e gjashtë të madhe me Argjentinën. Do të jetë ndeshja e tij e 26-të në Kupën e Botës, më shumë se kushdo tjetër, një tjetër rekord ky; do të jetë edhe ndeshja e tij e fundit. “Fakti që përfundoj udhëtimin tim në finale më bën të lumtur dhe gjithçka që kam jetuar këtu është shumë e bukur,” tha ai në fund të një tjetër nate, të zbukuruar nga një tjetër moment magjik, si një dhuratë: diçka për ta patur dhe mbajtur fort, kur ai të ketë ikur. Jemi edhe katër ditë larg nga ajo ditë.
Katër ditë. Një natë. Të gjithë “e dinin” se kjo do të ishte Kupa e fundite Botës për Messin, teksa ndjenja se mund të mos e shohim më kurrë, ka qenë e pranishme në çdo ndeshje. Ai e dinte edhe këtë, dhe është pjesë e arsyes pse ka luajtur kështu: quhet mision, fat ose, thjesht kënaqësi. Rroke ditën, nuk kanë mbetur shumë të tilla. E megjithatë, 16 vjet pas ndeshjes së tij të parë, si shënues në atë fitore 6-0 kundër Serbisë dhe Malit të Zi, ta dëgjosh të konfirmohet nga ai vetë, sërish dhemb. Prit, çfarë? Finalja do të jetë ndeshja e fundit? “Po, me siguri do të jetë”, tha Messi të martën mbrëma, “janë shumë vite deri në Botërorin e ardhshëm dhe nuk mendoj se do t’ia dal. Ta përfundoj në këtë mënyrë është bukur.”
Pra, kjo është një lamtumirë, për sa i përket Argjentinës. Megjithatë, çfarë mënyre fantastike për t’u larguar. Nuk ka ndodhur ende: pritet ndeshja më e madhe e të gjithave. Është kolosale, sigurisht. Por edhe duke arritur deri aty, duket sikur diçka ishte fituar, sikur ishte një realizim ishte përmbushur. Nga Messi dhe për Messin. Nuk e dimë se çfarë kemi derisa të ketë ikur (pothuajse). Vonë në Lusail, një gazetare e televizionit argjentinas, zgjodhi të mos e bënte pyetjen e saj të fundit. Në vend të kësaj, dhe ju mund ta keni parë klipin tashmë, ajo e përdori kohën për ta falënderuar: “Sido që të jetë rezultati, i ke bërë njerëzit të lumtur,” tha ajo. “Ke ndikuar në jetën e të gjithëve.”
Me kalimin e kohës, bëri edhe veten e tij të lumtur, me pak ndihëm edhe nga miqtë, të rinj dhe të vjetër. Në fund të Kupës së Amerikës, kur u mund nga Kili në finale, ai u largua. Nuk ishte ndjerë gjithmonë i mbështetur, pesha ishte e papërballueshme; tha se kish filluar të ndiente sikur gjithçka ishte për fajin e tij. Siç deklaroi ai vetë atëherë: “Më është dashur të ha shumë mut”. Tani është ndryshe. “Ka kohë që po e shijoj shumë, çdo gjë që po ndodh me ne. Më bën të lumtur fakti që mundem t’i jap fund këtij rrugëtimi në finale”.
Kjo ka qenë doktrina e trajnerit, Lionel Scaloni: nesër dielli do të lindë sërish. Messi e ka përqafuar atë mesazh dhe kohën që i ka mbetur; është bërë edhe mesazhi i tij, dhe ka pasur një ndjesi, sikur shokët e tij të skuadrës janë investuar jo vetëm për suksesin e Argjentinës, por edhe për lumturinë e tij, për të bërë një lloj drejtësie.
“Njerëzit e kanë kuptuar që kjo është diçka që ne duhet ta shijojmë”, tha Messi. “Kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme: Kupa e Amerikës, 36 ndeshjet pa u mundur, një finale e Kupës së Botës. Natyrisht, të gjithë duam ta fitojmë, por është një ndeshje futbolli dhe gjithçka mund të ndodhë. Shpresoj të jetë ndryshe nga ndeshja e Brazilit, në 2014 kundër Gjermanisë”.
“Nuk e di nëse kjo ka qenë Kupa më e mirë e botës për mua, por unë e kam shijuar që kur mbërritëm këtu”, shtoi ai. Ka realizuar 5 gola dhe ka dhënë 3 asiste. Momentet më të bukura këtu janë të tijat. Goli kundër Meksikës dhe goli kundër Australisë janë parë me mijëra herë. Asisti absurd kundër Kroacisë, një ikonografi e çastit: Josko Gvardiol, mbrojtësi për të cilin po flisnin të gjithë, u kthye e u stërkthye, pothuaj si në një film me kartona.
Messi udhëheq në Botëror me statistika në gola, asiste, shanse të krijuara, driblime dhe faulla të pësuara. Të cilat ende nuk e kanë ndaluar. Ai ka luajtur çdo minutë.
Ai ka qenë Maradonian. Ka bërë Maradonën. Dhe jo vetëm prej shkëlqimit dhe energjisë, shprehjes së përkushtimit, identifikimit. Sakrificës. Messi kish mbajtur për një kohë të gjatë kofshën, pastaj i bëri atë që i bëri Gvardiolit. Ka të bëjë me refuzimin absolut për t’u dorëzuar: Ishte ai që deklaroi se nuk kishte marrë fund, pas humbjes me Arabinë Saudite. Ka të bëjë me lidershipin e njeriut që tërhoqi skuadrën. Mund të mos ketë moment që tregon aftësinë e tij të jashtëzakonshme si ai në gjysmëfinale, por kjo nuk krahasohet me shpërthimin pas golit kundër Meksikës.
Ishte shpërthimi i zemërimit që i parapriu golit kundër Australisë. Përplasjet kundër Holandës. Tensioni, agresioni, fjalët e pista, po të doni. Ajo shprehja “pse shikon, budalla?”. Tifozëve argjentinas u pëlqen shumë. Duket se edhe Messit.
“Ai kështu ka qenë gjithmonë”, këmbëngul Scaloni, dhe brenda tij ka një lojtar shumë të fortë. Ky nuk është thjesht një Botëror. Eshtë një kauzë. Një rebelim!
“Ndonjëherë është një situatë ekstreme, nuk është e lehtë të zbresësh në fushë duke ditur që duhet të fitosh, në të kundërt ikën në shtëpi. Ne na ka ndodhur kjo qysh prej ndeshjes së dytë. Ka patur një kosto mendore, dhe grupi e ka kapërcyer”, tha ai. “Kemi luajtur pesë finale dhe kemi edhe një”.
Do të ishte gabim të harrohej se si ai i ka tërhequr drejt finaleve edhe më parë, por sërish kjo është diçka tjetër. Ai duket ndryshe, tingëllon ndryshe, vepron ndryshe. Qoftë sepse bashkëudhëtar ka një tjetër brez, roli i tij ka ndryshuar, një pjesë e peshës së të kaluarës ka ikur, është lënë pas. Megjithatë, ka dhe një trashëgimi, thotë Scaloni, që Leo do ua lërë atyre. Ndërsa ata, kanë qenë të dëshpëruar për t’i dhuruar atij këtë vallëzim të fundit.
“Ajo që bëri në Kupën e Amerikës ishte e pabesueshme, por unë në jetën time nuk kam parë asgjë si kjo Kupë Bote”, tha portieri Emiliano Martinez. Cristian Romero shtoi: “Eshtë çmenduri. Të gjithë e dinë se çfarë është Messi si futbollist, por kjo ka të bëjë më shumë me llojin e njeriut që është. Ai është një shembull, një person që do gjithmonë më shumë. Ka marrë kaq shumë goditje, por gjithmonë ringrihet në këmbë”.
Gjatë ditëve të fundit, një fotografi ka qarkulluar shumë në internet: në të, Julian Alvarez, 11 vjeçar qëndron në krah të idhulit të tij, Lionel Messi. Sot, ka një tjetër fotografi, pas 11 vjetësh: këtë herë janë shokë skuadre, Messi e mban në krahë dhe rrezaton pasi sulmuesi i Manchester City-t ka shënuar kundër Kroacisë.
“Gjërat që bën Leo janë të pabesueshme”, thotë Alvarez, dhe ai e ka parë me sytë e tij, ka qenë aty për t’i dhënë dorën e fundit një aksioni të pabesueshëm, një asisti që është më i bukuri i Botërorit. Mund të krahasohet vetëm me atë që Messi i dha Nahuel Molinës, në ndeshjen kundër Holandës.
Messi i ka dhënë të dy ata pasime. Ndërkohë, kish qenë Enzo Fernandez që kishte dhënë pasin e parë, i cili çoi drejt penalltisë që Messi e ktheu në gol. Edhe ai është rritur duke ndjekur njeriun që i dha Argjentinës avantazhin, që i mori dhe i çoi në një tjetër finale, ashtu si Diego Maradona.
Në vitin 2016, kur Messi po mendonte që të largohej, Fernandez postoi një mesazh në faqen e tij në Facebook, ku në fund kishte vendosur shënimin, na fal dhe faleminderit. “Si do arrijmë të të bindim ne, një grup askusësh që nuk kemi as 1 përqind të presionit që ti ke mbi shpatulla, 40 milion njerëz që bëjmë kërkesa qesharake për perfeksion, kur as nuk të njohim?”, thuhej në postim. “Bëj çfarë të duash, por të lutem mendo të qëndrosh dhe ta shijosh”.
Tani ai më në fund po e shijon, dhe ata po na çojnë të gjithëve drejt një lamtumire finale. / The Guardian