Deri në fund të vitit është e pamundur që të ketë rritje të pagave të punonjësve shëndetësorë, deklaroi ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Ai shtoi se për shkak të deficitit të madh të buxhetit një gjë e tillë është e pamundur.
“Shpresoj se në shëndetësi nuk do të ketë shkurtim të madh të buxhetit sepse duhet të mbijetojmë dhe të kalojmë deri në nëntor të këtij viti. Me sindikatat pata një takim, përsëri do të kem dhe do të kërkoj nga ata mirëkuptim që eventualisht të merremi vesh për vitin e ardhshëm. Këtë vit në praktikë është e pamundur që të sillet marrëveshje e re kolektive”, tha Arben Taravar, ministër i Shëndetësisë.
Shkurtimi i buxhetit për shëndetësinë bëhet për shkak se prioritet është që të mbulohen detyrimet e kaluara, deklaroi ministrja e financave Gordana Dimitrovska Kocoska. Sipas saj rishikimi i buxhetit në thelb është miratim i mjeteve të cilat nuk kanë qenë të parashikuara.
“Ne nuk mundemi që në këtë moment, duke pasur parasysh se kemi plot detyrime ligjore të cilat në mënyrë plotësuese do ta ngarkojnë buxhetin, të planifikojmë diçka plus. Ndryshe për Ministrinë e shëndetësisë ka llogari të posaçme dhe ato kanë më shumë mjete nga ajo që është shkurtuar”, deklaroi Gordana Dimitrovska Kocoska – ministre e Financave.
Ndryshe, derisa ende nuk është zgjidhur problemi me sallat kirurgjikale të cilat po punojnë pjesërisht, ka
dështuar edhe shpallja e tenderit për furnizimin e kompresorëve, sepse asnjë kompani nuk është paraqitur. Ministri Taravari njoftoi se shërbimet e përgjithshme në qendrën klinike janë në borxhe teksa shtoi se do të kërkojë nga qeveria që në të ardhmen, ministria ta bëjë këtë shpallje të tenderit.
Burimi: tv21