Trajneri i skuadrës së Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se skuadra që ai drejton nuk do të ndalet së luftuari për titull kampioni deri në fund, pasi kampionati është i gjatë sipas tij.
Drita u mposht nga Ballkani me rezultatin 1:0 të shtunën, kurse tekniku shkupjan e ka vlerësuar ndeshjen me shumë taktizime prej të dyja ekipeve.
“Mendoj se që të dyja skuadrat luajtën lojë të taktizuar. Futbollistët e mi bënë mjaftueshëm për të marrë barazim, apo edhe më tepër.
Në pjesën e parë kishim më shumë nga loja. Edhe pjesën e dytë e nisëm mirë, por kundërshtari na mposhti nga ndërprerja.
Duhet të vazhdojmë sepse kampionati është i gjatë. Duhet të përgatitemi për ndeshjet tjera”, u shpreh Nuhiu pas ndeshjes.