norvegjia fajeson hakeret ruse per sabotimin e diges 689d073b6794f

Norvegjia fajëson hakerët rusë për sabotimin e digës

August 13, 2025
min lexim

Hakerët rusë morën përkohësisht kontrollin e një dige në Norvegji më herët këtë vit, tha të mërkurën shefja e agjencisë së kundërzbulimit të këtij vendi nordik. Kjo është hera e parë që Oslo ia atribuon zyrtarisht sulmin kibernetik fqinjit të saj.

Gjatë kohës sa kishin nën kontroll digën në Bremanger, në perëndim të Norvegjisë, më 7 prill, hakerët hapën një portë dhe lëshuan 500 litra ujë në sekondë për katër orë, para se sulmi të zbulohej dhe të ndalej, kishin thënë më herët autoritetet.

Gjatë këtij sulmi nuk kishte pasur të lënduar.

Norvegjia prodhon pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike përmes digave hidroelektrike dhe autoritetet e inteligjencës kanë paralajmëruar më herët për rrezikun e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

“Gjatë vitit të kaluar, kemi parë një ndryshim në aktivitetin e aktorëve kibernetikë prorusë”, tha në një fjalim Beate Gangaas, shefe e agjencisë së policisë së sigurisë, PST, të Norvegjisë.

Incidenti në Bremanger ishte një prej këtyre aktiviteteve, shtoi Gangaas.

“Qëllimi i këtij lloji operacioni është të ndikojë dhe të shkaktojë frikë e kaos te popullata e gjerë”, tha ajo. “Fqinji ynë rus është bërë më i rrezikshëm”.

Ambasada ruse në Oslo tha se deklaratat e Gangaas ishin “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

“Është e qartë se PST-ja po përpiqet, pa sukses, të mbështesë kërcënimin mitik të sabotimit rus ndaj infrastrukturës norvegjeze këtë vit, të cilin vetë e shpiku në raportin e saj [vjetor] të shkurtit,” thuhet në një deklaratë për Reuters nga Ambasada ruse.

Shtatorin e vitit të kaluar, inteligjenca britanike e akuzoi Rusinë se po zhvillon një “fushatë jashtëzakonisht të pamatur” sabotimi në Evropë, pjesërisht për të frikësuar vendet evropiane në mënyrë që të ndalin ndihmën për Ukrainën.

Moska i ka mohuar këto akuza.

Pas fjalimit të saj, Gangaas i tha Reutersit se foli publikisht për këtë gjë, me qëllim që të paralajmëroi popullatë dhe në përpjekje që të parandalojë Rusinë nga kryerja e sulmeve të reja.

“Dua që norvegjezët të jenë të përgatitur”, tha ajo.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ndan kufirin me Rusinë në Arktik. Ashtu si vendet e tjera nordike, ajo është një mbështetëse e fortë e Ukrainës.

Norvegjia është gjithashtu furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, i cili kryesisht transportohet përmes një rrjeti tubacionesh nën Detin e Veriut.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

alma e serialit familja moderne i futet politikes kandidon per asambleiste ne komunen e prishtines 689d061303478
Lajmi i mëparshëm

Alma’ e serialit “Familja Moderne” i futet politikës – kandidon për asambleiste në Komunën e Prishtinës

shkup feste madheshtore per 24 vjetorin e marreveshjes se ohrit 689d0a476cb38
Lajmi i radhës

Shkup – Festë madhështore për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Të fundit nga

ShkoLartë