Më shumë se 50 mijë njerëz kanë ikur në Siri për shkak të sulmeve ajrore izraelite në Liban, tha Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) Filippo Grandi.
Ai ka shkruar në platformën X, se “mbi 200 mijë njerëz të tjerë janë aktualisht të zhvendosur brenda Libanit”.
Një zëdhënës i UNHCR tha se bilanci i personave të zhvendosur në Liban ka arritur në 211 mijë e 319, dhe nga ky numër 118 mijë janë larguar pasi Hezbollahu hapi një front kundër Izraelit në fillim të luftës në Gaza.
“Operacionet e ndihmës janë duke u zhvilluar, veçanërisht ndihma e anëtarëve të UNHCR-së. Ne po mundohemi t’u ofrojmë ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë në koordinim me autoritetet”, tha Grandi.
Izraeli pretendon se po kryen aksione për të ndalur sulmet e Hezbollahut në veri të territorit që kufizohet me Libanin jugor, dhe kështu të mundësojë kthimin e dhjetëra-mijëra banorëve që u detyruan të ikin.
Burimi: botasot.info