Vazhdojnë përpjekjet për të organizuar evakuimin e sigurt të mijëra civilëve që mbeten në qytetin e Mariupolit, përfshirë edhe njerëzi e bllokuar në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, shkruan BBC, përcjell Bota sot.
Vendi, i rrethuar plotësisht nga trupat ruse, është xhepi i fundit i strehimit për ushtarët dhe civilët ukrainas. Ata po strehohen në rrjetin e gjerë të strehimoreve dhe tuneleve nëntokësore të fabrikës, ndërkohë që furnizimet ushqimore mbarojnë shpejt.
Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boychenko, tha për BBC se njerëzit atje ishin “në kufirin midis jetës dhe vdekjes”. “[Njerëzit] janë duke pritur, ata po luten për një shpëtim… Është e vështirë të thuhet se sa ditë apo orë kemi për të shpëtuar jetën e tyre.”
Boychenko, i cili nuk është më në qytet, tha se kishte rreth 1,000 civilë në fabrikë “duke lutur që të evakuoheshin” dhe se 600 prej tyre ishin plagosur. Disa prej tyre, tha kryebashkiaku, kishin qenë atje që në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, i nisur më 24 shkurt.
Mariupol është shkatërruar pothuajse tërësisht në luftë, dhe banorët e mbetur nuk kanë energji elektrike, ujë apo ngrohje. Me rrjetin telefonik jofunksional në pjesën më të madhe të qytetit, është e vështirë të verifikohen në mënyrë të pavarur informacionet ose videot që qarkullojnë në internet.
Pamjet e postuara nga Batalioni Azov, fillimisht një grup i ekstremit të djathtë që më vonë u përfshi në Gardën Kombëtare të vendit, tregonin gra dhe fëmijë në dhoma dhe korridore të mbushura me njerëz. Në njërën prej tyre, një vajzë tha se ajo ishte larguar nga shtëpia e saj me nënën dhe gjyshen më 27 shkurt. Që atëherë, tha ajo, ata nuk kishin parë as qiell e as diell.
“Njerëzit e ngecur atje nuk kanë pothuajse asnjë shans për të shpëtuar jetën e tyre,” tha kryebashkiaku. “Ata nuk kanë mundësi të marrin ajër të pastër. Ata hynë në strehimoret e bombave dhe presin që t’u shpëtohet jeta.”