Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkërisht do të ecin drejt BE-së dhe aktorët politik duhet ta kuptojnë se ky është një tren që nuk duhet humbur. Kështu u shpreh kryediplomatja e Shqipërisë Olta Xhaçka në lidhje me ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën për në BE, nëse kjo e fundit nuk ia del me ndryshimet kushtetuese. Nëse dikush mbetet pas, mbetet në disavantazh të perspektivës dhe të mirëqenies së vendit dhe qytetarëve të vet, shtoi Xhaçka.
“Bashkarisht u thash se kemi ecur krah për krah dhe do të vazhdojmë të ecim në atë mënyrë, por është e rëndësishme, mendoj, për të gjithë aktorët politik që të kuptojnë që ky është një tren që nuk duhet humbur, sepse është krijuar një mundësi që ne të ecim më shpejt në këtë process dhe në qoftë se dikush do të ngelet pas, do të mbetet pas në disavantazh të perspektivës dhe mirëqenies të vendit të vet dhe qytetarëve të vet dhe kjo gjë nuk duhet lejuar”, theksoi Olta Xhaçka –MPJ, Shqipëri.
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, shprehu mirënjohje për atë, që siç tha, ka bërë Shqipëria në çështjen e raportit të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, duke u pozicionuar ashpër ndaj Bullgarisë, ndonjëherë edhe më zëshëm se sa vetë Maqedonia. Për Osmanin nuk është e ndershme që nëse ne nuk arrijmë ndryshimet kushtetuese, Shqipëria të mos vazhdojë e vetme.
“Vërtet jemi mirënjohës dhe falëndërues që nuk taktizoi në asnjë moment Shqipëria, për t’i krijuar avantazh pozicionit të vet, por insistoi që nëse rajoni nuk lëviz drejt BE, vetëm një shtet nuk do të jetë e leverdisshme për të. Kjo është më tepër shenjë e miqësisë, partneritetit dhe besimit të ndërsjell, që besojmë se do e kthejmë në momente kur do të jetë e nevojshme. Unë nuk mendoj që është e ndershme t’i kërkoj Shqipërisë në qoftë se hipotetikisht në nëntor nuk do të arrijnë të bëhen ndryshimet kushtetuese, të ndalet dhe të mos vazhdojë procesi”, pohoi Bujar Osmani –MPJ, Maqedoni e Veriut.
Ndryshe, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me këtë rast për vizitë zyrtare në Shkup po qëndron ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në takim u konstatua dinamika e shkëlqyer në bashkëpunimin bilateral dhe u rikonfirmuan zotimet e ndërsjella për pasurimin e tij me përmbajtje dhe projekte të reja, në interes të dy vendeve fqinje dhe qytetarëve.
Burimi: TV21