nje rikthim i koalicionit te shpreses ne horizont pse bashkimi i forcave lvv ldk po konsiderohet si zgjidhja me e mire per vendin 67e279d4a6a4c

Një rikthim i “Koalicionit të shpresës” në horizont? Pse bashkimi i forcave LVV-LDK po konsiderohet si zgjidhja më e mirë për vendin?

March 25, 2025
min lexim

Ndërsa rezultati zgjedhor i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk është certifikuar ende, në pikëpyetje vazhdon të mbetet çështja se cili subjekt apo koalicion do të drejtojë Qeverinë e Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Lëvizja Vetëvendosje e cila doli e para në zgjedhje me 42.30% të votave ende nuk e ka bërë të qartë se si do t’i bëjë votat për ta formuar Qeverinë.

Në vitin 2019 koalicioni VV-LDK ishte mjaft i dëshiruar për elektoratet e të dy subjekteve politike dhe kjo gjë çoi në bashkimin e tyre, që nuk është se zgjati shumë.

Edhe tani mund të thuhet se pjesa dërmuese e anëtarësisë së Lëvizjes Vetëvendosje preferojnë LDK-në si subjekt bashkëqeverisës. Po ashtu edhe një pjesë e konsiderusheme e anëtarësisë së LDK-së e preferojnë rikthimin e atij që dikur u quajt edhe si “koalicioni i shpresës”.

Madje, në këto matematika hyn edhe çështja e Presidentit, që do ta sillte përsëri Vjosa Osmanin në postin e të parës së vendit.

Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur analisti Gani Qarri.

Për Qarrin, një koalicion ndërmjet LVV-së, GUXO, Alternativa + LDK, aktualisht, do të ishte koalicioni më parimor dhe zgjidhja më e shëndetshme politike.

Image

Gani Qarri

“Në këto momente historike, derisa kujtojmë me kaq shumë nderim, nostalgji e respekt dhe pietet të pafund, se si presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, i madhi Bill Klinton, para 26 vitesh, arriti ta njësonte gjithë faktorin ndërkombëtar, për ndërhyrjen ushtarake të NATO-së, kundër Serbisë fashiste, që ti shpëtonte shqiptarët e Kosovës nga shfarosja gjenocidiale e okupatorit serb, sot të lë pa mend mosunifikimi arkaik i partive shqiptare, të cilat edhe 26 vite pas çlirimit, përveçse nuk arrijnë të unifikohen as gjejnë gjuhë të përbashkët, për të mirën e vendit dhe popullit të vet, fusin edhe përçarje ndërmjet njerëzve të një gjuhe dhe kombi të përbashkët siç janë shqiptarët e shumëvuajtur!

Përndryshe në këto çaste historike të 26 vjetorit të fillimit të sulmeve të NATO-së kundër Serbisë hegjemoniste, një koalicion ndërmjet LVV-së, GUXO, Alternativa + LDK, aktualisht, do të ishte koalicioni më parimor dhe zgjidhja më e shëndetshme politike, me të cilin bazuar në rezultatet e dala nga votimet e 9 shkurtit, do të formohej një Qeveri e qëndrueshme, që do të mund ta qonte mandatin deri në fund, ta vazhdojë mandatin e presidentes aktuale, apo votojë një president të ri, si dhe tu jap udhë zgjidhjes së shumë problemeve të mbetura peng edhe nga mandati i qeverisjes së kaluar, për shkak të mungesës së shumicës në Kuvend”, ka deklaruar Qarri për gazetën “Bota sot”.

Me qeverinë e këtij formati, Qarri thekson se, përveçse do të mund të sigurohej vazhdimi i mandatit të presidentes aktuale, e cila si ish pjesë e LDK-së, është e pranueshme për të gjitha partitë pjesëmarrëse në Qeveri, sipas analistit ky format qeverisës, do ta shpëtonte vendin edhe nga shkuarja në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme në prillin e vitit të ardhshëm, kur dhe përfundon mandati i presidentes aktuale Dr. Vjosa Osmani.

“Kështu që, duke qenë se kryetari aktual i LDK-së, është i lidhur edhe familjarisht me bashkëshortin e Presidentes Vjosa Osmani, gjë që edhe në mandatin e parë të presidentes, e ka shtyrë Lumir Abdixhikun me njerëzit e tij, të votonin për zonjën Vjosa Osmani, nëse pas tensionimit të gjendjes brenda LDK-së, nuk shkaktohet ndonjë qarje e thellë, apo ndasi fraksioniste, do të ishte mirë që edhe pas këtyre zgjedhjeve VV bashkë me LDK-në, Nisma-në, Nenad Rashiqin dhe pakicat jo-serbe ta formonin qeverinë e re, e cila me këtë konstalacion, përveç krijimit të një Qeverie stabile, për të cilën, vendi ka shumë nevojë, do të zgjidhte dhe një varg problemesh, si aktuale, ashtu edhe afatgjate, që e presin Kosovën.

Në momentin e tanishëm, kjo është zgjidhja më e mire për vendin edhe për faktin e ditur, se çdo opsion tjetër, do të ishte jetëshkurtër, i paqëndrueshëm, jo efektiv dhe i destinuar të dështojë, më së largu pas një viti, kur dhe duhet të votohet për vijimin e mandatit të presidentes aktuale, apo të bëhet zgjidhja e presidentit të ri të vendit, akt me rastin e të cilit, në mungesë të votave “Pro”, do ta rrëzonte edhe Qeverinë dhe detyronte vendin të shkojë serish në zgjedhje të reja”, ka nënvizuar ai.

Qarri shprehet se në gjendjen çfarë aktualisht ndodhet Kosova, nuk do të ishte shumë e preferueshme, që pas një viti serish të përsëriten zgjedhjet nacionale.

Megjithatë, ai thotë se kjo do të mund të ndodhte në rast se vendi do të vihej nën presione të papërballueshme nga faktori ndërkombëtar, për pranimin e vendimeve të dëmshme, të cilat rrezikojnë vazhdimësinë e shtetit tonë dhe vejnë në pikëpyetje çështjet ekzistenciale të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Në raste të tilla, edhe po të kishim një Qeveri të shumicës në pushtet, jo vetëm që do të ishte mirë, por edhe nuk do të mbetej rrugëdalje tjetër, përveç “përsëritjes” së zgjedhjeve të reja, për tejkalimin e stuhive, me vënien në veprim të strategjisë për përfitimin në kohë dhe mundësisht “detyrimin” e ndryshimit të qëndrimit të faktorit të jashtëm.

Sa i takon opozitës, ajo e ka të pamundur të krijojë numrat, për formimin e Qeverisë, pa hyrjen në koalicion me “listën serbe”, por pas vendimit të LVV-së, që “lista serbe”, të mos jetë, në asnjë mënyrë pjesë e qeverisë së re, edhe opozita e ka të pamundur ti hyjë serish lojës famëkeqe për formimin e Qeverisë me listën serbe, e cila realisht është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë.

Prandaj siç e thash edhe më lartë, zgjidhja më e mirë, do të ishte një koordinim parimor ndërmjet LVV-së, LDK-së, Nisma-së, Nenad Rashiqit, që edhe në mandatin e kaluar ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti II, si dhe pakicave jo-serbe, pasi që në koalicionin e përbashkët, ato do të arrinin shifrën e 81-82 votave, të cilat do të ishin të mjaftueshme edhe për zgjidhjen e çështjes së presidentit/es si dhe votimin e cilit do vendim, për çështje ligjore, juridike dhe shtetërore me rëndësi për Republikën e Kosovës.

Kosova dhe shqiptarët, duhet ta kuptojnë përfundimisht, se ka ardhur koha, që të hidhet poshtë kategorikisht dhe të mos pranohet në asnjë formë as mënyrë, arsyetimi i papranueshëm, me të cilin shqiptarët kanë ditur në vijimësi, ta godasin më së keqi-vetveten; duke pranuar vendime të gabueshme, se kinse jemi “nën detyrim”, të cilat pastaj, vendit po i kushtojnë aq shumë, sa që nuk po gjen më qetësi, as nuk po arrin ta marrë veten!”, ka nënvizuar ai.

Analisti Gani Qarri përmendi edhe marrëveshjet që ndër vite i kanë bërë dëm shtetit të Kosovës.

Mes tyre, ai tha se është edhe themelimi i asociacionit, që do të nënkuptonte automatikisht bosnjëzimin dhe ndarjen praktike të Republikës së Kosovës.

“Kur them vendime të gabueshme, madje me reflektim të pariparueshëm për Kosovën, e kam fjalën pikërisht për aktet e pajustifikueshme, si; decentralizimi, transferimi i çështjes së kishave dhe manastireve ortodokse të Kosovës, shtetit të Serbisë, nënshkrimi i marrëveshjes dhe miratimi në Kuvend i “zajednicës” serbe, votimi i Gjykatës Speciale, shndërrim i fshatrave minore ,në komuna “serbe”, falja e dhjetë mandateve të deputetëve, për vetëm 3-4 % të pakicës serbe, “demarkacionet” politike, me falje masive të tokave autoktone të Kosovës, vendeve hegjemoniste fqinje, dhe gabime tjera të pafalshme, që edhe aktualisht, pretendohet të na imponohen si shtet i ri dhe vend i vogël, si bie fjala, formimi eventual, nën presion i “zajednicës” me kompetenca ekzekutive…

Kjo do të nënkuptonte automatikisht bosnjëzimin dhe ndarjen praktike të Republikës së Kosovës, të cilat përveçse do të ishin akte të pakthyeshme, do ta dëmtonin aq pariparueshëm dhe përjetësisht çështjen ekzistenciale të shtetit tonë të pavarur, sa që pas një kohe shumë të shkurtër, të formimit (mos e bënë Zot) të zjadenicës, do ta detyronin edhe Kosovën të përballet me problemet që sot, ka me serbët vetëm Bosnja, në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën Juglindore, andaj i lus të gjitha partitë dhe faktorin politik shqiptar, që të reflektojnë me arsye dhe para së gjithash edhe para interesit të partive, prioritet ta kenë, çështjen e shtetit tonë të pavarur dhe garantimin e një ardhmërie të sigurt për Republikën e Kosovës, si vend i të gjithë neve dhe atdheu ynë i përbashkët!”, është shprehur ai.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

shokuese 40 vjecari abuzon sksualisht me 15 vjecaren e nxiti te konsumoje droge se bashku me dy shoqet e saj te mitura 67e270723c8e5
Story i mëparshëm

Shokuese! 40-vjeçari abuzon s*ksualisht me 15-vjeçaren, e nxiti të konsumojë drogë së bashku me dy shoqet e saj të mitura

modeli me i fundit i deepseek rindez konkurrencen me openai 67e27ca288d42
Story i radhës

Modeli më i fundit i DeepSeek rindez konkurrencën me OpenAI

Të fundit nga

afsqamarhyazeubebnbsbgcacebnyzh-CNzh-TWcohrcsdanleneoettlfifrfyglkadeelguhthahawiwhihmnhuisigidgaitjajwknkkkmkokukylolalvltlbmkmgmsmlmtmimrmnmynenopsfaplptparorusmgdsrstsnsdsiskslsoessuswsvtgtatethtrukuruzvicyxhyiyozu
ShkoLartë