17
Shkup, 5 qershor – Debati për reformën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut është rikthyer me intensitet, duke vënë në qendër të diskutimit një model që në pamje të parë mund të duket më demokratik një njësi zgjedhore për të gjithë territorin. Por për shqiptarët, ky model paraqet një rrezik real për përfaqësimin e tyre të drejtë dhe proporcional në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, shkruan Zhurnal.
Një barazi formale, padrejtësi reale –
Propozimi për një njësi zgjedhore synon të krijojë një “barazi” formale për të gjithë votuesit, por në praktikë krijon pabarazi strukturore për shqiptarët. Shtrirja gjeografike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është e përqendruar kryesisht në rajonet perëndimore dhe veriperëndimore të vendit, Pollogu, Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Kërçova ndërkohë që rajonet lindore dhe juglindore të vendit, janë të dominuara nga maqedonasit dhe kanë përqindje simbolike të popullatës shqiptare.
Në një njësi zgjedhore, ku votat llogariten në nivel republikan, vota e një qytetari shqiptar në Strugë apo Tetovë mund të peshojë më pak sesa ajo e një qytetari në Shtip apo Veles, për shkak të shumicës etnike në ato rajone dhe fuqisë më të madhe që partitë maqedonase do të kenë për të mobilizuar votuesit në zona me dominancë absolute etnike. Si pasojë, shqiptarët do të dalin të nën-reprezentuar, edhe pse përbëjnë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme.
Ziadin Sela: “Një njësi zgjedhore dëmton shqiptarët” –
Këtë shqetësim e ka artikuluar qartë edhe Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe pjesë e Frontit Evropian, i cili deklaroi:
“Jemi kundër sistemit zgjedhor me një njësi zgjedhore sepse dëmtohen shqiptarët. Shqiptarët nuk janë pjesë e popullatës në zonën lindore të shtetit dhe nuk mund të kontrollohet procesi.”
Sipas tij, zgjidhja më e drejtë mbetet ruajtja e modelit me tetë njësi zgjedhore, i cili, pavarësisht mangësive, garanton një ndarje më të balancuar gjeografike të përfaqësimit. Me këtë model, Shkupi do të siguronte rreth 30 deputetë dhe Pollogu rreth 22, çka ruan peshën reale të shqiptarëve në politikën vendimmarrëse.
Rreziku i fshirjes nga harta politike –
Një njësi zgjedhore përbën gjithashtu një rrezik për partitë shqiptare më të vogla, të cilat mund të mos arrijnë pragun nacional të përfaqësimit dhe kësisoj të fshihen nga harta parlamentare. Në mënyrë të paradoksale, një sistem që premton pluralizëm dhe konkurrencë të lirë, mund të shërbejë si mekanizëm për konsolidimin e dominimit të partive maqedonase.
Lista të mbyllura kandidat mëhallësh, lista të hapura kandidat mejdani –
“Zgjedhje të lira me kandidat të imponuar”, nuk po përshtatet teorikisht mirëpo po funksionon praktikisht në vendin tonë. Sistemi i zgjedhjeve me lista të mbyllura, hap debat e diskutim mbi atë se kandidatët për deputetë fshihen nën logon e partisë. Kandidatët për deputet të propozuar nga partia janë më të mirët e të duhurit për të përfaqësuar qytetarët e zonave nga vijnë, logjikisht njerëzit më të besueshëm të partisë. Mirëpo çuditërisht nuk u besojnë që emrat e tyre të jenë në listat e zgjedhjeve, sepse pastaj qytetari besimin e kryetarit tek kandidati mundet edhe ta ndëshkoj.
Pra, partitë po frikësohen e nuk po i besojnë njerëzve më të besueshëm për ta. Listat nuk po hapen sepse listat e mbyllura po shërbejnë për kryetarët e partive, që deputetët të shndërrohen në lisa që qëndrojnë në këmbë e kryetari partisë me sharrë në dorë, që secilën dorë që ngritet kur nuk duhet të ngrihet, dhe nuk ngrihet kur duhet të ngrihet ta sharrojë, dhe deputetin ta shartojë me një kokë tjetër për zgjedhjet e ardhshme.
Listat e mbyllura, mbyllin shpresën për përfaqësim dinjitoz e serioz, ngjallin servilizëm e gjunjëzim para kryetarit të partisë, e kur janë servil janë edhe pasiv. Demokracia brendapartiake funksionon në këtë mënyrë ku paraqiten shumë të interesuar për të qenë kandidat final, e mes këtyre zhvillohet një garë e madhe dhe paqësore duke numëruar pjesëtarët e mëhallës, dhe fiton ai i cili ka një mëhallë të mbipopulluar. Pjesëtarët e mëhallëve të mbipopulluara janë edhe mëhallat me më pak të punësuar, prandaj edhe janë shtuar, e kandidati i kësaj mëhalle të madhe fshihet në listat e zgjedhjeve sepse frikësohet nga mëhalla e tij, mëhallë e cila e fut në listën e kryetarit të partisë.
Prandaj, listat duhet të hapen e kjo i shërben rritjes së cilësisë të përfaqësuesve në Kuvend si për shqiptarët ngjashëm edhe për maqedonasit. Nga ana tjetër, numri i njësive zgjedhore nuk duhet të lejohet të ulet, e aq më pak të shkohet me një njësi të vetme zgjedhore sepse kjo defaktorizon shqiptarët, duke ulur numrin e deputetëve shqiptarë në Kuvend. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk