Një kthim te rendi demokratik në të gjithë ShBA-në, por a do të zgjasë?

min lexim

Zgjedhjet për Kongresin më 8 nëntor nuk u shoqëruan me raste dhune. Shumë nga ata që kanë mbështetur teoritë për manipulime të gjera në zgjedhjet e 2020, humbën dhe e pranuan në heshtje rezultatin. Pak ua vunë veshin komenteve të ish-presidenti Donald Trump që u përpoq të nxiste akuza të pabaza për mashtrime zgjedhore. Të paktën për një moment, një ndjenjë e njohur normaliteti ka kapluar vendin. Qasja ekstremiste që konsumoi politikën amerikane për pjesën më të madhe të dy viteve të fundit u zëvendësua nga rendi demokratik.

Diskutimet paszgjedhore u përqendruan në fatin elektoral të secilës parti: me republikanët të zhgënjyer që fitorja e thellë sikurse pretendonin nuk u materializua, ndërsa demokratët e lehtësuar po përgatiten për mundësinë e një mazhorance të dobët republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Të paktën tani për tani, kërcënimet serioze që u shfaqën ndaj demokracisë në ditën e zgjedhjeve, si dhuna me baza ekstremiste, frikësimi i votuesve dhe refuzimi i disa republikanëve për të njohur rezultatet e zgjedhjeve, nuk u materializuan.

“Ishte një ditë e mirë për demokracinë”, tha Presidenti Joe Biden duke pranuar njëkohësisht se partia e tij mund të humbiste një nga dhomat e Kongresit.

Guvernatori republikan i Nju Hampshër Chris Sununu, tha se votuesit ishin të shqetësuar me qeverisjen e zotit Biden, por ata kishin një mesazh më urgjent: “Rregulloni politikat më vonë, por ndreqni menjëherë çmendurinë”, tha ai për rrjetin televiziv CNN.

Edhe pse shumë udhëheqës republikanë fajësojnë Donald Trump-in se u dha zë e mbështeti kandidatë të dobët dhe me qasje ekstremiste, të cilët hasën vështirësi në zgjedhje, ish-presidenti u përpoq të minonte rezultatet e zgjedhjeve nga platforma e tij në median sociale. Zoti Trump postoi rreth 20 mesazhe që nga pasditja e së martës (8 nëntor), duke ngritur dyshime per manipulime në zgjedhjet e vitit 2022, duke u përqendruar gjithnjë e më shumë në Nevada dhe Arizona, ndërsa numërimi i votave vazhdonte.

Njoftimi i tij i pritshëm të martën për të kandiduar për herë të tretë për postin e presidentit mund t’i japë zoti Trump një tjetër platformë të rëndësishme për të avancuar pretendimet e tij të rreme mbi zgjedhjet.

Nga kandidatët kryesorë për zgjedhjet e vitit 2022, vetëm kandidatja republikane e Arizonës për guvernatore, Kari Lake, ka qenë agresive në mbështetjen e shqetësimeve të pabaza të zotit Trump për procesin e zgjatur të numërimit të votave, i cili është tipik në disa shtete. Rezultatet deri tani paraqesin një garë të ngushtë mes zonjës Lake dhe kundërshtares së saj demokrate Katie Hobbs.

Në Pensilvani, kandidati për guvernator i mbështetur nga zoti Trump, Doug Mastriano, i humbi zgjedhjet. Këshilltarja e lartë ligjore e zotit Mastrianos, Jenna Ellis, një ish-ndihmëse e zotit Trump, deklaroi pa mëdyshje se nuk kishte asnjë të dhënë për parregullsi serioze në votim.

“Nuk ka ndonjë shqetësim të tillë sikurse pamë në vitin 2020”, tha zonja Ellis në podkastin e saj. “Nuk mund të themi se gjithçka është vjedhur do ishte qesharake për këto zgjedhje”.

Në Miçigan, republikani i mbështetur nga zoti Trump, Tudor Dixon, një nga zërat kryesore në mohimin e zgjedhjeve të vitit 2020, pranoi humbjen përballë guvernatores se Miçiganit Gretchen Whitmer, menjëherë pasi agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ shpalli rezultatin.

Një nga progresistët kryesore, senatori i Vermontit, Bernie Sanders, i cili ka ngritur shqetësime rreth kërcënimeve që e djathta ekstreme paraqiste ndaj demokracisë që përpara kandidimit të tij për president në vitit 2020, sugjeroi se republikanët kanë nisur të veprojnë në një mënyrë racionale.

“Mendoj se një numër republikanësh e kuptojnë tashmë se dëshira e Trump-it për të minuar demokracinë amerikane nuk është vetëm e gabuar, por është një politikë e keqe”, tha zoti Sanders për AP-në. “Për të gjithë ata që duan të mbrojnë gënjeshtrat se Trump-i i fitoi në 2020, e marta ishte një ditë e keqe për ta dhe një ditë e mirë për pjesën tjetër të popullit amerikan”.

Në fakt të ashtuquajturit mohues të zgjedhjeve humbën disa nga garat më të rëndësishme në të gjithë vendit.

Vetëm një nga 14 kandidatët në garat për sekretar shteti, pjesë e grupit të vetëquajtur “Amerika e Parë”, Diego Morales i Indianës, fitoi garën. Ky grup përfshinte kandidatë në shtete fushëbeteje si Arizona, Miçigani dhe Nevada, dhe u krijua nën frymën e pretendimeve të pabaza të zotit Trump se zgjedhjet e vitit 2020 ishin vjedhur. Kandidatët që përqafuan qasje të tilla i humbën gjithashtu garat për guvernator në shtetet fushebetejë si Miçigan, Minesota, Viskonsin e Pensilvani.

Republikanët që mohuan legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit, mbizotëruan në garat për Senatin në Karolinën e Veriut dhe Ohajo. Në Xhorxhia, republikani Brian Kemp u rizgjodh pasi sfidoi teoritë e konspiracionit të zotit Trump, ndërsa kandidati për Senat Herschel Walker, i cili ka mbështetur gënjeshtrat për manipulime në zgjedhjet e fundit, ka kaluar në balotazh, në një proces që pritet të mbahet më 6 dhjetor.

Përpara ditës së zgjedhjeve, presidenti i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë, një organizatë e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara (NAACP), Derrick Johnson, tha se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” se ky komunitet do të frikësohej e për të këtë shkak nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, veçanërisht pasi qindra aktivistë pro-Trump-it u regjistruan për të shërbyer si vëzhgues në të gjithë vendin.

Agjencitë amerikane të zbulimit lëshuan një dokument më pak se dy javë para zgjedhjeve duke paralajmëruar për një kërcënim të shtuar të ekstremizmit të dhunshëm të brendshëm, që mund kishte si objektiv zyrtarë të zgjedhur, punonjës zgjedhorë ose qendrat e votimit.

Por disa ditë pas mbylljes së qendrave të votimit, zoti Johnson tha se procesi i votimit shkoi mirë. Megjithatë ai vuri në dukje, se është e pamundur të dihet nëse kërcënimet për dhunë mund të ketë pasur një “efekt ftohës” në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

“Ishte shqetesuese që ne duhet të funksionojmë në demokraci me frikë”, tha zoti Johnson. “Ne duhet ta bëjmë më të lehtë votimin”.

Në bisedat me Presidentin Biden, gjatë një takimi në fundjavë në Azinë juglindore, udhëheqësit botërorë vunë theksin tek zhvillimi i një procesi të qetë zgjedhor në SHBA. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se rezultati krijoi “një pozicion të fortë për SHBA-në në skenën ndërkombëtare”.

“Unë do të thosha se një temë që u shfaq gjatë dy ditëve ishte tema për fuqinë e demokracisë amerikane dhe se çfarë nënkuptuan këto zgjedhje për demokracinë amerikane”, u tha zoti Sullivan gazetarëve në bordin e avionit presidencial ‘Air Force One’. “Pra, presidenti është i kënaqur me rezultatet”.

Në ditën e zgjedhjeve, zoti Trump u përpoq dhe dështoi të mbillte probleme në shumë shtete veçanërisht në rajone me një numër të madh popullsie që i takon minoriteteve.

Zoti Trump postoi një mesazh në mediat sociale të martën pasdite duke pretenduar se votuesve po iu refuzohej e drejta për të votuar në Detroit. “Protestë, Protestë, Protestë!”, shkruante ai. 

Mesazhi nuk frymëzoi asnjë protestë apo ndonjë tension të dukshëm jashtë qendrave ku po numëroheshin votat në Detroid, ndryshe nga dy vjet më parë, kur shumë mbështetës të zotit Trump bërtisnin jashtë dyerve të ndërtesave ndërsa procesi numërimit vazhdonte./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Hani sa më shumë limon, këto janë tre përfitimet e jashtëzakonshme për organizmin

Story i radhës

A ju vijnë ide të shkëlqyera sa herë që bëni dush? Ja përse është kështu

Të fundit nga