Një gazetar tha se u qëllua nga një snajperist izraelit, derisa ishte duke punuar në Jabalia në veri të Gazës.
Mohammed Balousha, i cili punon për kanalin Al Mashhad në pronësi të Emirateve, tha se po filmonte një reportazh pranë shtëpisë së tij të shtunën pasdite kur u qëllua në kofshë.
Ai deklaroi se në ato momente kishte të veshur një helmetë dhe distinktiv shtypi, raporton The Guardian.
“Kisha veshur gjithçka për të vërtetuar se isha gazetar, por më sulmuan qëllimisht dhe tani po luftoj për të marrë trajtimin e nevojshëm për të ruajtur jetën time”, u shpreh Balousha.
Ky gazetar kishte raportuar më parë se si katër foshnja të lindura para kohe në spitalin e fëmijëve al-Nasr kishin vdekur dhe trupat e tyre ishin dekompozuar, pasi Izraeli detyroi stafin e spitalit të evakuohej pa ambulanca.
Ai tutje tha se pasi u plagos kishte nevojë për një operacion, i cili mund të bëhej vetëm në spitalin al-Ahli, objekti i fundit funksional në Gazën veriore. Ambulanca u nis, por u desh të kthehej pasi tanket izraelite bllokuan rrugën për në spital.