“Është e vështirë që një martesë të zgjasë përgjatë gjithë jetës dhe për këtë arsye, unë e kam ndërruar këndvështrimin tim për jetën, dhe dua ta shpreh atë për këdo që gjendet në situatën time. Akoma më tepër nëse ka fëmijë, pra që ka një ndjesi faji akoma më të madhe. Raportet konsumohen, kurse ndjenjat vendosen në provë nga këto kohëra të shpejta.
Nuk ka më kuptim të thuash se martesa ka dështuar. Unë them se fjala më e mirë për t’u përdorur është “realizuar”. Martesa e ka arritur synimin e saj, nuk mund të shkojë dot më tej dhe fëmijët janë provë e realizimit të saj. Çdo histori dashurie që ka një fillim dhe një fund, nuk është një dështim. Duhet të bëjmë paqe me këtë vziion dhe të mos përdorim një term kaq negativ”. – Stefano de Martino
Pjesërisht balerini i njohur italian ka të drejtë, pra çdo histori që e ka një fillim dhe një fund, nuk duhet të konsiderohet e dështuar, por nuk jam dakord që marrëdhëniet vihen në provë apo konsumohen nga kohërat e sotme. Kohërat vijnë prej njerëzve dhe sfidat janë bërë për t’u kaluar. Nuk ka në ditët e sotme, kur jetesa është shumë më e lehtë, sfida aq të mëdha sa i kishin gjyshërit apo prindërit tanë. Nuk kishin të hanin, bënin punë nga më të rëndomtat, e sërish i mbajtën familjet të bashkuara. Kishte ndonjë sekret për funksionimin kaq të mirë të martesave në atë kohë? Nuk e besoj. Besoj se thjesht në atë kohë njerëzit kishin më shumë parime dhe e konsideronin familjen të shenjtë.
Ndërkohë në ditët e sotme, me problemin e parë që shfaqet, edhe nëse ke fëmijë në mes, nuk punohet në çift për t’i kaluar ngjarjet e vështira, por preferohet ndarja. Kjo nuk është aspak një zgjedhje e drejtë, pasi nuk mund të mendohet vetëm me egoizëm. Mundet sigurisht të jesh më mirë i vetëm, por kur ke një fëmijë në mes, duhet ta mendosh mirë vendimin që po merr. Ashtu siç e ke gjetur gjuhën e duhur për t’u lidhur me atë që sot ke një fëmijë, mund ta gjesh edhe gjuhën për të zgjidhur mosmarrëveshjet që ke. Një fëmijë nuk ka pse të bëhet pre e një martese të lodhur, aq më tepër pre e vendimeve të pamenduara mirë.