Masat e marra nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian për të reduktuar konsumin e gazit dhe energjisë elektrike ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Evropën dhe janë të pamjaftueshme për të arritur objektivat e kursimit të energjisë, zbulon një analizë e Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEB).
Sipas hulumtimit të EEB, masat e miratuara nga liderët evropianë katër muaj më parë për të reduktuar konsumin e gazit në vendet e tyre me 15 për qind dhe të energjisë elektrike me 10 për qind, janë shumë të pabarabarta.
“Tetë nga 27 vendet e BE-së nuk kanë marrë ende asnjë masë për të reduktuar konsumin e gazit dhe energjisë elektrike. As në familje, as në kompani apo organe shtetërore”, tregon studimi i EEB, transmeton Anadolu Agency.
Sipas studimit, vetëm 12 vende të BE-së kanë miratuar disa masa të detyrueshme për të reduktuar konsumin e energjisë. Vendet që importojnë sasi të mëdha gazi rus, si Italia dhe Gjermania, kanë vendosur masat më të rrepta për të kursyer gazin.
Ata që janë më pak të varur nga gazi, si Franca dhe Spanja, po udhëheqin gjithashtu BE-në me masa për të reduktuar konsumin e energjisë, duke synuar si sektorin publik ashtu edhe atë privat, duke përfshirë familjet, si dhe industrinë dhe bizneset e vogla.
Suedia, Finlanda, Luksemburgu, Holanda, Austria dhe vendet e Evropës Lindore po priren drejt masave më të lira për të reduktuar konsumin e energjisë.
Megjithëse janë ndër vendet më të varura nga gazi, me një pjesë prej 30 deri në 40 për qind në konsumin total të energjisë, Holanda dhe Kroacia kanë zbatuar vetëm masa vullnetare për të kursyer gazin.
Rumania dhe Lituania, të cilat mbështeten shumë në lëndët djegëse fosile, nuk kanë zbatuar asnjë masë për të reduktuar konsumin e energjisë.
“Sa më shpejt të reduktojmë konsumin, aq më shpejt do të ulim presionin në rritje mbi çmimet e energjisë, gjë që do të ofrojë në mënyrë efektive lehtësim për familjet dhe industrinë”, thotë David Sabadin, zëvendësmenaxheri për politikat klimatike në EEB, në lidhje me gjetjet e studimit.
Ai u kërkoi politikëbërësve t’i jepnin përparësi uljes së kërkesës për energji mes sfidave të shumta që do të përballet BE në mbushjen e depozitave të gazit përpara dimrit të vitit të ardhshëm.
“Reduktimi i kërkesës për energji duhet të jetë një prioritet kryesor për politikëbërësit, jo masat afatshkurtra që do të na bllokojnë në një sistem joefikas që “gëlltit” lëndët djegëse fosile. BE mund të bëjë patjetër më shumë për të koordinuar veprimet e kursimit të energjisë midis shteteve të saj anëtare,” tha ai.
Burimi: GAZETA.MK