Një ditë pas takimeve të Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel, ministri serb bën deklaratën e fortë: Do të ishim të lumtur ta shihnim ushtrinë tonë në Kosovë

Ministri serb i Mbrojtjes, Milos Vuçeviç, ka thënë se bisedimet në Bruksel me përfaqësuesit evropianë për Kosovën ishin të vështira.

“Nuk ka asgjë të mirë dhe të lehtë për ne atje, as nuk do të dëgjojmë ndonjë gjë të mirë dhe të lehtë brenda atyre bisedimeve. E mira është që Serbia e shmangi atë skenar që të jetë fajtore, të jetë faktor përçarës, të dëshirojë konflikte, sepse ai skenar tashmë është përgatitur me qëllim jo vetëm akuzimin e Serbisë, por edhe dënimin e saj”, tha Vuçeviç për televizionin Happy.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të negociojë për të gjitha propozimet që përjashtojnë pavarësinë e Kosovë dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara.

“Ne nuk pranojmë asnjë lloj njohjeje de jure apo de facto të Kosovës si shtet i pavarur, mund të flasim për gjëra të tjera, qoftë deklaratë doganore, vulë aty-këtu… Gjithçka që nuk çon në Pavarësia e Kosovës është për ne diçka që mund të jetë temë në tryezë”, tha ai.

Ministri vlerësoi se 90% e qytetarëve më së shumti do të donin të dëgjonin se Serbia refuzon gjithçka nga ai dialog dhe largohet prej tij.

“Të gjithë do të ishin të lumtur ta shihnin ushtrinë tonë në Kosovë, por ne duhet ta dimë, duhet të kujtojmë, se jemi tërhequr nga Kosova në vitin 1999 në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244”, u shpreh Vuçeviç.

Ai vlerësoi se Kurti nuk ka ndërmend të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe se do ta mbajë atë qëndrim të vendosur, si dhe se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në dialog dëshirojnë që ai të formohet jashtë kontekstit siç është konceptuar.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti patën takime disa orëshe dje në Bruksel me të dërguarin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajcak, shefin e Diplomacisë Evropiane Josep Borrell, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Giorgia Meloni./albeu.com

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

A Mund t’ju Dëmtojë Shikimin Mbajtja e Lenteve?

Story i radhës

Kosova dhe Serbia edhe sot temë në Samitin në Bruksel, Von der Leyen: Hetimet për sulmin në Banjskë po vazhdojnë

Të fundit nga