Një ditë në stan në Malin Sharr, bjeshkët në Maqedoninë e Veriut po mbeten pa blegtorë!

min lexim

Kjo është rruga që të çon në një pjesë të malit Sharr.

Siç mund të shihet është shumë e dëmtuar, e në disa pjesë edhe mezi kalohet.

Në këtë gjendje është në mbi 30 kilometra.

Për të arritur deri tek stanet, na ndihmoi blegtori Gazmend Sejdiu me makinën e tij.

Na tha se disa herë kanë kërkuar që rruga të rregullohet, por asgjë nuk është ndërmarrë.

-Gazmend kemi bërë tre orë rrugë. Edhe sa na ka ngelur?

-Na kanë ngelur edhe 30-35 minuta, tha Gazmend Sejdiu, blegtor.

-A mund të na tregoni në cilin lokacion saktë jemi duke shkuar?

-Jemi duke shkuar në “hurdhë të Idrizit” që gjendet ngjitur me malet e Korabit. Aty është kufiri.

-Atje i ke stanet dhe sa bagëti ke?

-Kam 400 copë. S’ka njerëz që i ruajnë. Kam mbetur vetëm me djalin. I kam edhe nja 50 lopë në shtëpi dhe mundohemi t’i bëjmë këta angazhimet e këtyre.

Pas tre orëve e dyzetekatër minutave rrugë, me gjithë ndalesat që bëmë, arritëm për tek stanet. Këtu gjendet trekëndëshi i kufirit mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Jemi në bjeshkët të quajtura “Gropa e Idrizit”, më saktësisht në mes të tre kufijve. Në krahun tim të djathtë gjendet Mavrova, në këtë pjesë bie kufiri me Shqipërinë, ndërsa prapa këtyre kodrave gjendet Republika e Kosovës”, raporton Senad Zylbehari, gazetar i  TV21.

Takuam djalin e Gazmendit, Hajrullaun, i cili po kulloste bagëtinë. Ajo që na ra në dy janë 14 qentë racës Kangall turk, që njihen për agresivitetin e tyre ndaj kafshëve të egra, që nuk janë të pakta këtu, sidomos pasi mali Sharr u shpall Park kombëtar.

Kur shkuam në stan, ushqimi ishte gati. Mish, i shoqëruar me djathë dhensh dhe perime të kultivuara nga vetë të zotët e stanit.

-Zakonisht çfarë hahet në stane?

-Në stane hahet mish, djathë, ndonjë grosh, ndonjë patate, se ne këtu ushqimet i bëjmë vetë, vetë gatuajmë, por vetëm sot e mora këtë bukë të gatshme, se vetë e gatuajmë.

-Kur zgjoheni në mëngjes?

-Zgjohemi në 5 të mëngjesit në 12 biem, po patjetër deri sa i kryejmë punët.

Duke shijuar drekën e duke biseduar, blegtori na foli gjerë e gjatë për sfidat me të cilat përballet.

Ankohet se djathin detyrohen t’ua shesin lirë tregtarëve që vijnë për ta marrë, sepse edhe ata vetë për qëllim kanë fitimin kur e shesin në qytet.

Më mirë puna nuk qëndron as me çmimin e qengjave, rrëfen ai, duke treguar se detyrohen t’i shesin lirë në thertore, të cilat caktojnë çmim të ulët, ose përndryshe blegtorët mund të mbeten pa subvencione.

E më e keqja nga të gjitha këto, siç tregon ai, është se bjeshkët po mbeten pa blegtorë.

-Unë dhe vëllai im, vetëm unë dhe vëllai im. Këto bjeshkët e Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkreta të gjitha, mund të ketë, njëri ka një dy-treqind dhen, njëri ka 150 apo 160 dhe të gjithë bjeshkët janë të shkreta në këtë pjesë, shumica kanë ikur, nuk kanë barinj, nuk kanë gjëra, nuk mund t’ia dalin në qosh, ashtu është…

Me Gazmendin po ashtu u kthyem teposhtë, por ai sërish u ngjit në lartësitë e Sharrit, pasi koha ka zënë të prishet dhe do t’i duhen dy ditë rresht që t’i zbresë bagëtitë në stallën në fshatin Negotinë të Vrapçishtit, ku do të dimërojnë.

Burimi: tv21

Story i mëparshëm

Osmani para ushtarëve amerikanë: Prezantuat lirinë për ne në Kosovë

Story i radhës

Prishtina e Re nuk ka të ndalur, Flamurtari turpërohet me rezultat 0:6 nga Dinamo 

Të fundit nga