Këshilli Gjyqësor i Kosovë (KGJK) ka vendosuar që kryetarës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanovic t’ia zvogëlojë pagën prej 30 përqind në një interval kohor prej katër muajsh.
Arsyeja e këtij vendimi vjen pasi Stevanoviç ishte takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, veprim i cili është në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe Kodin e Etikës për gjyqtarë.
Më 12 maj “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Stevanoviç ka arritur marrëveshje për pranimin e përgjegjësisë disiplinore me Panelin Hetimor, gjë e cila thuhet edhe në vendimin e publikuar tani nga KGJK.
Ndryshe, Dy gjyqtaret e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijeviç dhe Dragica Jakovjeviç, do të ndëshkohen me një dënim simbolik, pasi që të dyja ishin pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Një vendim i tillë është marrë nga Këshilli i Gjyqësor i Kosovës, i cili ka vendosur uljen e pagës prej 30 për qind për 4 muaj rresht për gjyqtaret në fjalë me akuzën se kanë shkelur masën disiplinore.
“Për panelin hetimor ka qenë e pakontestueshme se subjektet e hetimit me këtë rast Tatijana Virijeviç dhe Dragica Jakovljeviç, kanë kryer shkelje disiplinore me pjesëmarrjen e tyre në takimin e datës 22.03.2022, me ftesë të presidentit te Republikës së Serbisë”, thuhet në këtë vendim.
Tutje, sipas arsyetimit të këtij vendimi thuhet se prezent kanë qenë dhe përfaqësues të tjerë politik, duke vlerësuar se ky takim ka qenë i natyrës politike pasi që në atë kohë kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi./express