Niset për në Amerikë, Yllka Gashi me dedikim emocionues për Prishtinën që e la

min lexim

Aktorja Yllka Gashi ka ndarë një dedikim për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku ajo është lindur dhe rritur.

Me “Prishtinë të du”, nis ky dedikim, derisa ajo gjendet në aeroportin e Prishtinës duke pritur të niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Prishtinë të du! E çdo herë që marr rrugë me t’lanë e me u largu prej teje, Me shku n’shpinë tjetër – përtej Atlantikut, Ni copë e zemrës pak më thehet, E e kujtoj qysh haber s’kom pasë me e kuptu mërzinë e gurbetçarëve të familjes, Kur u përlotshin sa herë pëshëndeteshin e u nisshin për Evropë -atje ku veçse e kishin kriju jetën e re e i rritshin fmitë”, shkruan aktorja.

Postimi i plotë:

Prishtinë të du!

E çdo herë që marr rrugë me t’lanë e me u largu prej teje,

Me shku n’shpinë tjetër – përtej Atlantikut,

Ni copë e zemrës pak më thehet,

E e kujtoj qysh haber s’kom pasë me e kuptu mërzinë e gurbetçarëve të familjes,

Kur u përlotshin sa herë pëshëndeteshin e u nisshin për Evropë

-atje ku veçse e kishin kriju jetën e re e i rritshin fmitë. 

Prishtinë të du,

E mendja më shkon shpesh te ti,

Jo që je far qyteti pitoresk ose metropol që ëndërron dikush me jetu n’ty,

Ama je e jemja

Edhe bash hiq s’ka si ti!!!

Me krejt mangësitë që i ki,

Me aq sa ofron,

Me pluhnin e verës e lloqin e vjeshtës,

Trafikun e stërngarkumë,

Rrugët e ngushta,

E krejt behanet që i ki

për mu –

Je e veçantë dhe e bukur!

Prishtinë të du,

Se në ty jetojnë e për ty kontribojnë

E edhe vujnë nga mangësitë tua,

ata që m’i don loçka e zemrës-

familja jeme e plot miq e dashamirë.

T’du,

Se n’zemrën tande jam lindë e rritë, jam shkollu, eduku e kam ndërtu karrierë,

Kam njoftu gjith’far njerëzish,

Me disa prej tyne kam miqësi që koha veq i ka forcu e ju ka dhanë kuptim.

Në ty Prishtina jeme e kam gjetë dashninë,

E në ty m’ka beku Zoti me Ninën!

E në ty e kam shiju të bamit teze e hallë!

Prishtinë t’du,

E në ty kam përjetu shumëçka të bukur

Po edhe të trishtë,

Se gjenerata jeme që osht rritë në t’90-tat,

I ka përjetu shkollat fillore të ndame e shkollat e mesme nëpër shpia të improvizume,

Largimin e dhunshëm nga puna t’prindve,

Demonstratat e studentëve,

E protestat e nanave të Kosovës me nga një bukë në dorë – n’mesin e tyne edhe mama jeme,

Gazin lotsjellës,

Milicinë e paramilitarët,

‘Racinë’ nëpër kafiqa,

Slloganet “Kosova Republikë”,

Besa, edhe helmimet me ujë në shkolla të mesme -plot prej kësaj gjenerate- i mbajmë n’mend.

Ama, Prishtinë

Unë e gjenerata jeme i kemi përjetu edhe shëtitjet nëpër korzë,

E në “Gradic” Pejton,

Shampitet e Elidës kur ajo ishte ndër të vetmet ambëltore n’qytet,

Platon’ e “Boro Ramizit”,

1 Majin në Gërmi,

“Lluna Parkun” n’Dardani,

Dodonën e “Talentin…”

Orët Letrare në “Fjala”, “Hanin e 2 Roberëve”, në “Koha”,

Kafiqat e Kurrizit,

Burekat e “Bosnes” në pushim t’gjatë t’shkollës,

Mbramjet e semi-maturës te Qafa…

Sendviqat e “Metros” në pauzë gjatë studimeve.

Përjetime t’varfnjakut kish mujtë me thanë dikush tash,

Po krejt këto imtësina

E kan’pasë lezetin e vet,

E janë t’papërsëritshme

Se ti qaq ke pasë takat me dhanë!

Në ty Prishtina jeme,

Ka jetu baba jem i dashtun ma shumë se 50 vjet, t’u t’i njoftë mirë pllamtë e kilometrat

E t’u kontribu në edukimin e dhjetëra gjeneratave,

E prej knaqësive t’mdhaja t’fminisë,

I kujtoj kohët kur m’merrte me veti te berberi në qendër e derisa ai i prente flokët, unë ulesha n’atë karrigen e naltë me kali t’argjentë.

E kur ai e përfundonte qethjen,

Ecshim dorë për dore

e te “3 sheshirat” në njanën prej atyne kioskave te vogla m’blente Kavabona ose Herba.

Çfarë lezeti!!!!

Ma mirë se n’Disneyland!

Prishtinë, unë të du

edhe për arsye se në ty e kam përjetu luftën,

e frikën deri n’palcë

kur me kallasha e tenka na kan’ pëzanë prej teje në 99tën,

Po mandej, çlirimit tand i jam gëzu me krejt qenjen e me autobusin e parë të “refugjatëve” jam kthy në damarët tu.

Të du Prishtinë,

Edhe për përjetimet e

Rinisë së hershme,

Me kaosin e frikshëm të pasluftës

për 4 vjet studime në Fakultetin e Arteve, me kushte jo t’mira,

po me entuziazëm e energji bombastike,

Për rolin e parë në Teatrin Kombëtar,

Punën e parë në KTV,

“Familjen Moderne” në studiot e RTK-së…

Krejt këto-

Kujtime të bukra e t’paharrushme –

Që veq ti mi ke dhuru!

Në ty Prishtinë,

I kemi duru reduktimet qesharake të rrymës e t’ujit me vite t’tana.

Me gjeneratorë që t’i shurdhonin veshtë në krejt anët e qytetit,

Me reduktime t’rrymës 4, 6, 8 e besa edhe 20:4 kanihere.

E ato 4 orë kur vinte rryma, punojshin veq dritat edhe aty-ktu naj “shteker”.

Ama,

Prej dashnisë ndaj teje

e knaqësisë që po t’përjetojmë t’lirë,

gajle se kishim!

Prishtinë,

Ti je shtëpi e shumë njerëzve që m’i don zemra,

Që më merr malli për ta kur jam larg,

Njerëz, për të cilët gëzohem e çlirohem kur e di që janë mirë me shëndet e rehati,

Njerëz, për të cilët shqetësohem e mërzitem, kur nij që ju ka ndodhë ndonjë e papritun.

E nuk po flas veq për familjen e miqtë!

Kur jom n’gjinin tand,

-Edhepse me bon nervoz shumë e më dëshpron shpesh-

Diqysh zemra m’pushon e shpirti sikur m’qetësohet!

Për ty Prishtinë e për njerëzit tu,

Me merr malli,

Shpesh

E shumë!

M’vjen pak inati kur t’shajnë e t’kritikojnë

Ata që jetojnë në ty,

e pak e hiq mundohen me t’përmirësu,

Ose ata që nuk t’i kan përjetu periudhat e stoicismit po kan përfitu prej teje

n’emën t’lirisë e të zhvillimit,

tu t’gulfatë e shfrytëzu në çdo aspekt.

Ti s’ki faj Prishtina jeme e mirë,

Se qytetarinë, edukatën e kulturën e përgjithshme nuk munesh me ja u msu krejtve që jetojnë n’ty.

Ti nuk e prodhon bërllogun prej qiellit, po e ki kontribut prej “qytetarëve” tu.

Mërzitna edhe kur i humbi debatet e s’kom argumente me t’mbrojtë!

Ama çka gjithmonë kom me pasë për ty

e me ty Prishtinë,

osht DASHNIA e dhembshuria!

Qe 7 vjet prej s’largu

T’i përjetoj kënaqësitë,

sukseset,

dështimet,

dëshprimet

E shpresat.

Me ni mallëngjim, që veq ata që s’jetojnë ma n’ty e kuptojnë,

Po në zemër e në mendje t’kom afër përherë e kur përmallohem fort

t’i kujtoj veq të mirat.

Se je e jemja

E s’ka edhe njo si ti!

Prishtina jeme

Të pafsha ma mirë,

Ma të pastër,

Ma të organizume,

Me kerre ma pak,

E gjelbërim ma shumë!

Me ndërtesa ma me shije,

Me pluhun minimal,

Me vende atraksioni për fëmijë, pleq e gra shtatzana,

Me qytetarë të vetdijshëm që prona publike duhet me u rujtë e mbrojtë se ju takon krejtve.

T’pafsha që po të dojnë e po ta “dinë kimetin” ata që jetojnë në ty e që marrin vendime për ty.

E ti,

Më pritsh me dashamirësi e ngrohtësi si gjithmonë!

Prishtina jeme-

Qyteti i përhimtë,

Me makiatot ma t’mira n’dyje,

Me rininë ma t’bukur në rajon,

Me zemërgjansinë e mikpritjen ma t’madhe që dikush mundet me e përjetu.

Prishtina jeme,

Ku rreh zemra e mamës teme, Donës, Lilit e Adit!

Ku rriten e shkollohen Dini, Lisa, Mali, Omari, Lisi, Marini, Jora…

T’pafsha t’u shkëlqy e t’u lulëzu Prishtinë

se për mu

e shumë t’tjerë si puna jeme,

Ti mbetesh shtëpia që nuk i mbyllë dyrtë kurrë!

Deri herën e ardhshme,

Mirëmbetsh e FALEMNDERIT!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Grubi: Jemi në rrugë të drejtë, ne drejtimin e duhur, atë të përkatësisë europiane dhe euroatlantike

Story i radhës

Tifozët e Bayernit nuk e kursejnë Lewandowskin

Të fundit nga