Dy anije të tjera që transportonin mallra bujqësore janë nisur nga portet ukrainase të Detit të Zi, duke e çuar në 10 numrin e anijeve që janë nisur javën e kaluar në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht me Rusinë për të zhbllokuar eksportet bujqësore ukrainase.
Sacura, e cila lundroi nga Pivdeni, po transporton 11.000 tonë sojë në Itali, njoftoi sot Ministria turke e Mbrojtjes, ndërsa Arizona, e cila lundroi nga Chornomorsk, po transporton 48.458 ton misër në Iskenderun në Turqinë jugore.
Katër anijet që u nisën dje nga Ukraina, pritet të ankorohen sonte pranë Stambollit, sipas të njëjtit burim, i cili shtoi se do të inspektohen nesër.
Ministri i infrastrukturës i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, konfirmoi se të dyja anijet ishin larguar dhe shtoi se Pivdeni, porti i tretë ukrainas i përfshirë në marrëveshje, tani ishte në gjendje funksionimi si pjesë e nismës.
Kubrakov kishte thënë më parë se hapja e portit të Pivdenit, i vendosur në qytetin Yuzhne, do të çonte kapacitetin total të eksportit të Ukrainës deri në 3 milionë tonë në muaj.
Ukraina, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave, ishte detyruar të ndalonte pothuajse të gjitha dërgesat në vazhdën e pushtimit rus që nisi në shkurt për shkak të një bllokade nga flota ruse e Detit të Zi.
Ndalimi i dërgesave të drithërave nga Ukraina kontribuoi në një rritje të çmimeve globale të ushqimeve dhe shkaktoi shqetësim në lidhje me vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë që merrnin mjaftueshëm grurë dhe mallra të tjera për të ushqyer popullsinë e tyre.
Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, një qendër e përbashkët koordinimi në Stamboll nisi punën zyrtarisht më 27 korrik, e përbërë nga përfaqësues nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina, për të mundësuar transportin e sigurt nga anijet tregtare të mallrave ushqimore komerciale dhe plehrave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi.
Më 7 gusht, Papa Françesku përshëndeti rifillimin e eksporteve të grurit si “një shenjë shprese” që tregoi se dialogu ishte i mundur për t’i dhënë fund luftës./REL