Nis mbështetja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

min lexim

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati mbajtën sot takim me përfaqësues të organizatave jo qeveritare, ku ndër të tjera u nënshkruan edhe marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve.

Në këtë takim, Kurti ka shprehur përkushtimin e Qeverisë në krijimin e një ambienti ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe të gjithë kanë mundësi të barabarta në punësim.

Ndër të tjera, ai shtoi se kjo masë përveç që synon nxënien e shkathtësive të personave me aftësi të kufizuara garanton edhe punësimin e qëndrueshëm të tyre.

“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.  Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, u shpreh kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, e patëm shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara. Këtë vendim e morëm pikërisht në datën, që shënon përpjekjet globale për krijimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara nuk ndihen të përjashtuar, por pjesëmarrës dhe të barabartë.

Edhe ne si Qeveri, kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një ambient të tillë. Në kohën kur po flasim, qasja në tregun e punës është domosdoshmëri. Andaj, vazhdimisht kemi hartuar e përkrahur politika që synojnë nxënien e shkathtësive të gjithsecilit, pa dallim.

Para më pak se një muaj, prezantuam para jush skemën “Qeveria për Familjet”. Një masë e re e qeverisë për garantimin e punësimit, ashtu, që çdo familje në Kosovë të ketë të paktën një anëtar të punësuar. Ndërsa sot, po fillojmë zbatimin e përbashkët të Masës 1.6  “Mbështetja e Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe po e konkretizojmë atë dhe bashkëpunimin tonë duke nënshkruar një marrëveshje dypalëshe.

Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.

Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës.

Mirëpo, në procesin e arritjes së objektivave që përmenda më parë, ju si përfaqësues të organizatave jo-qeveritare keni rol thelbësor. Së pari, identifikimin e personave, që do të ndjekin trajnimet dhe të bizneseve ku do të mbahen ato trajnime, dhe së dyti, ju duhet të siguroheni që ato realizohen në koordinim të plotë me programin dhe misionin e organizatës suaj. Ndërkohë, kujdesemi që të identifikojmë arritjet dhe sfidat në zbatimin e masës, të cilat na shërbejnë, që sërish së bashku të diskutojmë për avancimin e masës.

Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara në punësim dhe jo vetëm. E konsiderojmë këtë masë si hapin e radhës në punën tonë për rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë. Andaj, duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, shpresojmë që do të vazhdojmë bashkëpunimin frytdhënës edhe në vijueshmëri të zbatimit të masës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Mohamed Alabbar: Brenda 3 muajve nis ndërtimi i portit turistik të Durrësit

Story i radhës

MASH: Viti shkollor fillon më 1 shtator

Të fundit nga