Prishtina dhe Kosova pritet të jenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore të kulturës dhe artit, pasi sonte edhe zyrtarisht në kryeqytet është hapur Bienalja Manifesta 14. Gjatë 100 ditë, artistë, arkitektë dhe shumë profesionistë të tjerë nga 30 shtete të botës, do të bashkohen dhe do të shkëmbejnë ide dhe përvoja, por do të ketë edhe ekspozita, performanca dhe ndërhyrje në hapësira të ndryshme publike në Prishtinë.
Përgjatë programit 100-ditor, Manifesta 14 do të paraqesë punime të artit bashkëkohor, ngjarje kulturore, zhvillime eko-urbane dhe hulumtime ndërdisiplinore në 25 hapësira nëpër Prishtinë. Ndërsa, nga nesër i gjithë programi do të jetë i hapur dhe falas për këdo.
Manifesta 14 nisi me përformancën artistike LYNX të Astrit Ismaili. Kurse, vlerësime të lara pati presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Ajo tha se është kënaqësi e veçantë të jetë me komunitetin artistik të Republikës së Kosovës dhe atë të 30 shteteve pjesëmarrëse në Manifestën e sivjetme të njohur gjerësisht si Bienalja Nomadike Evropiane.
Osmani: Për gjithsej 100 ditë të Manifestës perëndesha jonë në fron do të shkëlqejë më shumë
“Imazhi i sotëm i Prishtinës është imazhi që i shkon më së shumti Prishtinës. Prishtina është në më të mirën e saj kur pret njerëz nga e gjithë bota, pikërisht atëherë kemi mundësinë e artë për të shfaqur më së miri shpirtin rinor të kryeqytetit tonë, si dhe hapjen e tij ndaj kulturave dhe kombeve të ndryshme nga e gjithë bota. Për gjithsej 100 ditë të Manifestës perëndesha jonë në fron do të shkëlqejë më shumë dhe do të kthehet në një pikë referimi kulturore ndërkombëtare“, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, artistët tanë të rinj e bënë Kosovën referencë globale.
Osmani: Manifesta zgjodhi Prishtinën, traditën e ndërthurur me modernitetin
“Në këto 100 ditë, artistë, arkitektë dhe shumë profesionistë të tjerë do të bashkohen dhe do të shkëmbejnë ide dhe përvoja, si dhe ekspozita, evente, performanca dhe ndërhyrje në hapësira të ndryshme publike në Prishtinë. Është një fakt i njohur gjerësisht se Kosova është vendi i rinisë. Prandaj është kënaqësi që artistët tanë të rinj e bënë Kosovën referencë globale për këtë ngjarje të madhe kulturore. Edicioni i 14-të i Manifestës përkon me 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Kjo traditë është një festë e artit, por po aq është edhe një dedikim për lirinë tonë. Është një përkushtim ndaj përpjekjeve tona të përditshme për të nxitur ndryshime pozitive, reforma kuptimplota, dhe zhvillim të vazhdueshëm. Këto janë edhe vlera që promovon Manifesta. Manifesta zgjodhi Prishtinën këtë vit. Ajo zgjodhi traditën e ndërthurur me modernitetin, e cila bashkërisht i shton ngjyrën, shpirtin dhe bukurinë kryeqytetit tonë “, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Manifesta është një qytet që endet nëpër Evropë si një spektër, si një fantazmë, derisa përqafon një qytet evropian që mishërohet në atë që e bën më ndryshe.
Kurti: Përmes Manifestës do ta shohim Kosovën të shpaloset në më të mirën e saj
“Sivjet, qyteti i Manifestës po merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës, ne jemi edhe të lumtur dhe me fat. Ky përqafim i Manifestës në Prishtinë është pothuajse një ‘dashuri për fatin’. Një Nomad evropian udhëtues ndalon për të takuar popullin e pandalshëm të Kosovës. Prishtina ka qenë gjithmonë një qytet i gjallë dhe kreativ, edhe në ditët më të këqija, kur të qenit shqiptar ishte shumë e rrezikshme. Gjithmonë kishte një jetë kulturore që ndodhte nën tokë, koncerte dhe ekspozita u rritën si kërpudha brenda kafeterive dhe restoranteve, brenda shtëpive private dhe bodrumeve. .. Besoj se është pikërisht kjo qëndrueshmëri kulturore që ka ndezur njëfarë estetike, që është ngulitur në thelbin e shoqërisë sonë sot. Është kjo qëndrueshmëri që e bën Prishtinën dhe Kosovën kaq të veçantë, marr guximin të them edhe unike. Kur Prishtina u zgjodh si qytet nikoqir në bashkëpunimin intensiv disa mujor, u mahnita kur pashë se si Manifesta arriti të zbulojë pikërisht këtë frymë të popullit tonë. Prandaj sot jam plotësisht i bindur se në 100 ditët në vijim, përmes Manifestës, do ta shohim Kosovën të shpaloset në më të mirën e saj dhe do të shkëlqejë“, tha Kurti.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se gjatë 100 ditëve sa do të zgjas Manifesta, do të ketë mysafirë e media të shumta që do të mësojnë dhe shkruajnë për Prishtinën.
Rama: E kemi Prishtinën në kulmet e mediave botërore të artit e kulturës
“Pra automatikisht ne tash e kemi Prishtinën në kulmet e mediave botërore të artit e kulturës si një vend nikoqir i Bienales Manifesta 14, e cila përveç që ka sjellë artistë të ndryshëm botërorë të artit e kulturës si një vend nikoqir , këtu, e ka krijuar edhe një platformë fantastike për artistët e vendit. Një numër i madh i artistëve tonë, është pjesë e Manifestës 14”, tha ai.
Ceremonia zyrtare e Manifesta 14 vazhdoi me një performancë speciale nga Jungle by Night, si dhuratë nga qyteti i Amsterdamit si dhe perfomancën nga Prishtina All Stars, një përzgjedhje e disa prej këngëtarëve dhe interpretuesve më të mirë të Prishtinës.
Aty u kujtua edhe lufta brutale në Ukrainë, ku u tha se të gjithë duhet të ngrijmë zërin kundër kësaj lufte.