Një vit pas zjarrit vdekjeprurës në spitalin modular të Tetovës, nis gjykimi i tre personave të akuzuar për këtë ngjarje.
Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, dalin të martën para Gjykatës Themelore në Tetovë.
Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.
Për këto vepra, sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, personat e dyshuar, nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen deri në 5 vjet burgim.
Zjarri në spitalin ku trajtoheshin pacientë me sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar vdekjen e 14 personave.
*Video nga arkivi i REL-it: Zjarri vdekjeprurës në spitalin e Tetovës
Në mesin e viktimave ka pasur pacientë të infektuar dhe familjarë që kujdeseshin për ta.
Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator të vitit 2021.
Sipas ekspertizave të bëra në Maqedoninë e Veriut dhe në Gjermani, zjarri është shkaktuar nga mbinxehja e një kablloje vazhduese, ku kanë qenë të lidhura disa pajisje elektronike, përfshirë defibrilatorin – mjet për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.
Në Maqedoni të Veriut ka pasur disa protesta për këtë rast, ndërsa ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ish-zëvendësministri Ilir Hasani kanë dhënë dorëheqje, edhe pse ato janë refuzuar nga kryeministri i asaj kohe, Zoran Zaev.
Dorëheqje kanë dhënë edhe tre të akuzuarit.
Maqedonia e Veriut ka 19 spitale modulare për pacientët me COVID-19 – dy prej të cilave janë donacion, ndërsa për ndërtimin e të tjerave janë shpenzuar 3.6 milionë euro.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 341.000 raste me COVID-19 dhe mbi 9.400 viktima./REL