Nis gjykimi i serbit Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte në Istog

December 14, 2022
min lexim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për krime të luftës gjatë viteve 1998-1999, në Istog, Çaslav Joliq.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Ilir Morina, i akuzuari Jolic u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

“Me nderin dhe trupin tim për asgjë që është lexuar tani nuk jam fajtor, as që kam bërë diçka”, tha Joliq.

Gjykatësi Musa Konxheli, pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinovic dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.

Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Prej tyre, aktakua thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë  marka gjermane.

Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.

Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të  fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.

Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Me ketë, Çalsav Joliq akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kina ndërpret eksportin e çipeve drejt Rusisë

Story i radhës

Braktisja e institucioneve nga sërbet, betohen asamblistët e rinj të Mitrovicës së Veriut

Të fundit nga

ShkoLartë