Nënkryetari i OBRM-PDUKM-së Aleksandar Nikollovski edhe sot ka deklaruar se punohet për iniciativë nga ana e partisë së tij për organizimin e referendumit në lidhje me kushtet nga ana e Bullgarisë të përfshira në Kornizën negociuese me Bashkimin Evropian. Partia nuk heq dorë as nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me arsyetimin se vetëm në këtë mënyrë do të vërtetohet disponimi i popullit në lidhje me më shumë çështje të rëndësishme për shtetin.
Vetëm me zgjedhje të parakohshme parlementare do të vërtetohet disponimi i popullit, konsideron njeriu i dytë i opozitares OBRM-PDUKM, Aleksandar Nikollovski. Ai në fjalimin para mbështetësve në Manastir përsëriti se partia e tij nuk heq dorë as nga ideja për referendum për procesin negociues me Bashkimin Evropian, përkatësisht për “shantazhin nga ana e Bullagrisë”, siç e quan ai.
“E dini se kemi iniciuar ide për referendum për çështjen kyçe për momentin për Maqedoninë, ndërsa kjo është shantazhi që na bëhet nga ana e Bullgarisë në raport me integrimet evropiane. Për këtë konsultimet janë kah fundi dhe siç kemi paralajmëruar në periudhën që vjen do të dalim me qëndrim konkret dhe me metodologji konkrete në raport më me këtë çështje, sepse e shohim se nga Qeveria aspak nuk tërhiqen”, deklaroi Nikollovski.
Nikollovski nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me sugjerimin e djeshëm të zv. kryeministrit Artan Grubi, se në përbërjen e deputetëve të OBRM-PDUKM-së tashmë “ndjehet një krah properëndimor”, i disponuar që t’i mbështes ndryshimet e kërkuara kushtetuese për përfshirjen e Bullgarëve në mesin e bashkësive shtetformuese në Maqedoninë e Veriut, si kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në. Sipas Grubit, kontaktet e përditshme me deputetët e opozitës japin shpresë se në Kuvend do të ketë mbështetje prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese, përkundër bindjeve të zëshme të kreut të OBRM-PDUKM-së se partia do ta kundërshtojë këtë proces në të cilin sheh rrezik për bullgarizimin e maqedonasve.