Në Nikaragua gjatë viteve të fundit qeveria e Presidentit Daniel Ortega ka mbyllur shumë organizata mediatike. Së fundmi, një nga stacionet më ikonike të radios u mbyll nga pushteti i zotit Ortega si edhe një gazetë e rëndësishme e atij vendi.
Isabel Hernández jeton në një komunitet rural në Nikaraguan veriore. Në fshatin ku jeton ajo rrallë herë ka eletricitet dhe banorët varen nga radiot me bateri për të dëgjuar lajmet.
“Ne nuk e dimë se çfarë ndodh në vend dhe gjetkë”.
Zonja Hernández dhe fqinjët e saj dëgjonin stacionin “Radio Dario” që u mbyll disa javë më parë nga qeveria e zotit Ortega. Radio Dario ishte një nga stacionet më të vjetra në Nikaragua dhe transmetuese e programeve të Zërit të Amerikës dhe ndër stacionet e pakta që mbulonte pjesën perëndimore të vendit.
Stacioni i radios u mbyll nga ‘Telcor’, rregullatori shtetëror për frekuencat e radios në Nikaragua. Në një letër drejtuar radios, rregullatori Telcor theksonte se stacioni nuk i plotësonte “kërkesat teknike” për të funksionuar.
Anibal Toruno, drejtuesi i stacionit të radios, i hedh poshtë pretendimet duke thënë se radioja vepronte në përputhje të plotë me ligjin dhe se veprimi ishte politik. Drejtuesit e radios thonë se do të vazhdojnë betejën kundër ndërprerjes së sinjalit ndërsa transmetojnë në rrugë dixhitale.
“Nuk është fundi, por fillimi i diçkaje të re. Ky është fillimi i një dimensioni të ri dhe kjo është një mënyrë e re e transmetimit në radio. Ne do të vazhdojmë përpara”.
Vitet e fundit, Presidenti Daniel Ortega ka urdhëruar kontrollin dhe mbylljen e zyrave të dhjetëra organeve mediatike, përfshirë gazetën 95-vjeçare të Nikaraguas La Prensa dhe media të tjera si, Confidencial dhe 100% Noticias.
Në gusht të këtij viti, stafi i gazetës La Prensa u largua nga vendi pasi autoritetet e akuzuan menaxherin e saj për pastrim parash, një akuzë që drejtuesit e gazetës thonë se është e motivuar politikisht.
“Të gjithë punonjësit e gazetës janë papunë. Gazetarët, shtypshkronja, marketingu dhe të gjithë”, thotë Oscar Navarrete, fotoreporter i gazetës La Prensa.
Organizata e quajtur Gazetarët dhe Komunikuesit e Pavarur të Nikaraguas thotë se 16 gazetarë u larguan nga vendi në dy javët e para të gushtit.
Nuk ka gazeta që botohen brenda Nikaraguas dhe ato pak media që raportojnë veprojnë në fshehtësi ose nga jashtë vendit. Presidenti Ortega i ka mohuar sulmet kundër medias ndërsa e ka akuzuar shtypin për mashtrime.
Ndërkohë, ata që duan të dëgjojnë lajmet vazhdojnë të kërkojnë për një stacion radio që informon njerëzit lidhur me ato që po ndodhin në vendin e tyre./VOA