Kosovarët janë qytetarët më i rrezikuar nga ndotja e ajrit sa i përket shëndetit respirator. Ndotja vjen nga termocentralet, si dhe djegia e thëngjillit dhe karburanteve. E qytetet më të ndotura në vendin tonë, mbesin Prishtina, Fushë-Kosova dhe Obiliqi.
Ndotje më e madhe e ajrit po theksohet se do të ketë gjatë dimrit, pasi së fundmi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shfuqizuar vendimin që ndalonte dhënien e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, me arsyetimin që të kontribuojnë në tejkalimin e krizës energjetike.
Deri në vitin 2018, Korporata Energjetike e Kosovës u ka dhënë thëngjill si dhuratë punëtorëve të saj. Më 2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut, por së fundmi, ky vendim u shfuqizua.
Eksperti i ajrit Agron Bektashi ka thënë për KosovaPress, se në sezonin e dimrit është e pranishme ndotja më e madhe e ajrit.
Sipas tij, pjesa më e rrezikuar është trekëndëshi Prishtinë-Fushë Kosovë-Obiliq.
Faktorët e kësaj ndotje, Bektashi konsideron se janë termocentralet, trafikun dhe djegiet e fosileve.
Bektashi: Në Kosovë është trekëndëshit Prishtinë-Fushë Kosovë-Obiliq
“Nuk ka dyshim që periudha nëntor-mars, është sezoni me ndotjen më të madhe të ajrit gjatë vitit në Kosovë e posaçërisht mund të them se pjesa më e rrezikuar në Kosovë është trekëndëshit Prishtinë-Fushë Kosovë-Obiliq, për shkak të grumbullimit të madh të industrisë dhe për shkak të trafikut të s’tërë ngarkuar. Tashmë janë identifikuar ndotësit më të mëdhenjtë të ajrit, edhe pse në këtë rajon posaçërisht në Prishtinë, e kemi cilësinë e dobët, flasim për termocentralet, për trafikun e s’tërë ngarkuar dhe për djegiet, burimet fosile, kryesisht djegiet e ndryshme që qytetarët i përdorin për ngrohje. Fatkeqësisht kohëve të fundit ka filluar të digjet edhe thëngjilli, i cili fillimisht ka qenë i ndaluar me ligj, për shkak të krizës energjetike që ka kapluar Kosovën, si duket Qeveria dhe institucionet janë në mes të dy zjarreve të bëjnë zgjidhje se nuk kemi çfarë të djegin sivjet, përfshirë edhe mua. 2.20….Nuk ka dyshim që djegia e thëngjillit ndikon negativisht në cilësinë e ajrit”, tha ai.
Bektashi shtoi se në ajrin e dobët do të kontribuojë edhe djegia e thëngjillit edhe pse gjatë viteve të fundit, ai thekson se ka ulje të përdoruesve, pasi qytetarët kanë gjetur alternative tjera. Për ndalimin e kësaj ndotje, ai tha se duhet bërë rrjetëzimi i Termokos-it, të ketë energji alternative dhe sa më pak përdorimi i lëndëve djegëse.
Bektashi: Vendi më i ndotur është Prishtina-Fushë Kosova-Obiliqi, pa konkurrencë
“Ajrit të dobët dhe cilësisë gjatë dimrit sivjet si duket do t’i kontribuoj edhe djegia e thëngjillit, në çfarë sasie nuk jam i sigurt, nuk kemi të dhëna edhe djegia e thëngjillit është më e vogël se vitet e tjera sepse një pjesë e qytetarëve është orientuar me paletë, një pjesë me energji, një pjesë me djegie të tjera alternative, do si do çdo djegie e thëngjillit ndikon në cilësinë e ajrit.5.20. Nëse Prishtina si qyteti më i madh, më i populluari, nëse një pjesë e madhe e Prishtinës lidhet me nxehje qendrore të organizuar me Termokos, normalisht që në masë të madhe ka me reduktuar përdorimin e thëngjillit, drurit dhe lëndëve të tjera. Rrjetëzimi i Termokos-it në të gjithë Prishtinën, energji të tjera alternative të shëndetshme, sa më pak thëngjill, sa më pak dru, me shikuar pak energjinë solare ose energjinë me erë. Posaçërisht nëse flasim për djegie dhe ngrohje individuale, mendoj që sistemet solare janë shumë të mira..6.10.Vendi më i ndotur definitivisht është Prishtina-Fushë Kosova-Obilq pa konkurrencë”, tha ai.
Pulmologu Besim Morina tha se ndotja e ajrit është shqetësuese për shëndetin e njeriut, pasi ndikon negativisht në sëmundjet si bronkiti apo astma.
Morina: Më të rrezikuarit janë pacientë që vetëm kanë sëmundje respiratorë
“Ne çdo ditë e më shumë tani këto ditët e ftohta e vërejmë gjithmonë e më tepër problemin e respiratorëve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Kosovarët momentalisht janë populli më i rrezikuar nga ndotja e ajrit sa i përket shëndetit respirator…Sëmundjet respirator siç janë bronkiti, pastaj astma bronkiale, përkeqësimet e sëmundjeve kronike respirator, problemet me fyt, me rrugët e frymëmarrjes e të gjitha kështu me radhë. Pra më të rrezikuarit normalisht janë pacientë që vetëm kanë sëmundje respirator prekzistuese”, theksoi Morina.
Morina tha për KosovaPress, se qymyri, nafta, mjegulla dhe temperaturat e ulëta, ndikojnë që në Kosovë të jetë kualiteti i ajrit kaq i dobët.
Morina: Çdo djegie një materie djegëse reflektohet në kualitetin e ajrit, amplifikimin e dëmit tek njeriu
“Për fat të keq çdo djegie një materie djegëse karburanti menjëherë reflektohet në kualitetin e ajrit dhe dëmin, amplifikimin e dëmit tek njeriu, për fat të keq tymi që vjen nga qymyri përmban nivele të larta të dioksidit të karbonit dhe monoksidit të karbonit, pra oksideve të karbonit që normalisht reflektohen në shëndetin e njeriut por nuk duhet të harrojmë se këto pastaj përkeqësimet shumë ose acarimet e këtyre sëmundjeve shumë ndikohen edhe nga faktorët e tjerë siç janë: mjegulla apo temperaturat e ulëta apo mungesa e frymës e kështu me radhë. Në rastet kur kemi djegie të mëdha të qymyrit, nivele të larta të tymi. Në Kosovë kemi shumë makina që përdorin naftën si karburant dhe ne e dimë që nafta si karburant prodhon sasi të larta të sulfurit dhe këto okside të sulfurit janë shumë të dëmshme për rrugët e frymëmarrjes, për fat të keq këto nuk rregullohen mjaftueshëm dhe ne i dimë kushtet në të cilat makinat qarkullojnë dhe nivelet e larta të tymrave që ato prodhojnë” , vlerësoi Morina.
Nga çmimet e larta, qytetarët detyrohen që ngrohjen ta sigurojnë duke djegur thëngjill, dru e lëndë të tjera, të cilat po kontribuojnë në uljen e cilësisë së ajrit.
Qytetari Xhevat Jashari, tha se kryeqyteti është shumë i ndotur. Ai ka edhe një ide sa i përket përmirësimit të akrit në kryeqytet.
Jashari: Ngrohemi me drurë e kemi larguar thëngjillin
“Shumë e ndotur, në mes të Obiliqit dhe Prishtinës është dashur më së paku 20 mijë pisha me qenë, ato nuk janë askund.. si nuk ka ndikim më të madh, kanceri është shfaqur me të madhe.. vërehet me të madhe tani me ftohjen e kohës për shkak se thëngjillit ndikon me të madhe…Ngrohemi me drurë, e kemi larguar thëngjillin, aty ku ndezët thëngjilli nuk rrihen në dhomë sepse ndikon shumë në shëndet”, tha ai.
Edhe Fatmir Muqolli pohoi se ndotja e ajrit mund të përmirësohet me vetëdijësimin e qytetarëve.
Muqolli: Ndotja është alarmante jo vetëm në Kosovë por kudo
“Ndotja është alarmante jo vetëm në Kosovë por kudo, jemi duke synuar që sa vite me punuar në këtë drejtim por nuk ka vullnet të njerëzve. Ndotja e ambientit mundet me u përmirësuar vetëm me vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve…2.50. Gjithçka fillon nga edukata, janë edhe faktorët tjerë, rritja dhe zhvillimi industrial”, u shpreh qytetari.
Po ashtu, edhe Remzi Sejdiu, tha se për ngrohje qytetarët nuk kanë alternative tjetër përpos lëndëve djegëse.
Sejdiu: ”Qymyri, qymyr është, ai vetëm tym është, tym i zi”
“Prishtina në veçanti dihet është shumë e ndotur.. qymyri, qymyr është, ai vetëm tym është, tym i zi. Për momentin nuk ka alternativa, për afat shkurtë, afat gjatë duhet të mendojnë pushtetarët…janë që kanë nevojë janë të detyruar, askush nuk ka dëshirë por ata që kanë nevojë duhet ta përdorin, nuk kanë alternativë tjetër”, tha ai.
Nëse vazhdon përballja me ngritjen e nivelit të ndotjes së ajrit, Komuna e Prishtinës ka hartuar një plan me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit.
Përndryshe, është raportuar se Komuna e Prishtinës ka vendosur që kur situata të jetë më e rënduar, qytetarët të mund të shfrytëzojnë autobusët urban pa pagesë, e jo vetëm.
Komuna e Prishtinës në planin e Mobilitetit dhe “Planin Lokal të Veprimit për Cilësinë e Ajrit”, ka përfshirë edhe krijimin e Zonave me Emetim të Ultë të Gazrave, projekt i cili do të përfshijë kufizimin e qarkullimit të automjeteve të vjetruara në zona të caktuara e që kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet.