Dëmtimi i Manuel Nojerit ende po krijon dyshime mbi gjetjen e një alternative të denjë për të zëvendësuar 36- vjeçarin në kuadratin e tyre.
Ndikimi i Manuelit në portë është më shumë sesa i rëndësishëm, madje ku shqetësimi i drejtuesve të Bajernit dëshmon qartë rëndësinë e tij në skemat e Nagelsmanit. Çështja e gardianit në “Allianz Arena” kishte kohë që e kishte zgjidhur ekuacionin me prezencën e gjigantit Nojer, por së fundmi naiviteti i tij solli pasoja “vrastare” në sajë të vazhdimësisë, e përkthyer me thyerjen e këmbës në ski.
Përfundimi do të prezantonte tablo pa ngjyra, përfundimi i sezonit, çka nënkupton se gjetja e opsionit mbetet detyra kryesore në këtë merkato dimërore. Stefan Efenberg së fundmi nuk i ka kursyer kritikat ndaj papërgjegjshmërisë së numrit “1” në Mynih, madje duke e drejtuar gishtin e fajtorit drejt tij nëse ekipi i Nagelsmanit nuk i përmbush objektivat sezonalë.
“EKUACIONI NOJER”- “Lëndimi i Nojerit ka krijuar një gropë të madhe në prapavijën e bavarezëve, e cila duhet të mbushet sa më parë. Problemi është se gjetja e alternativës ideale në këto momente merr nuancat e misionit të pamundur, pasi edhe klubet që kanë portierë të nivelit botëror vështirë t’i lënë të largohen në mes të sezonit.
Të gjithë jemi dëshmitarë se sa efikas ka qenë Manuel me reflekset e tij në çdo turne ku ekipi është prezantuar. Kanë kaluar shumë ditë dhe ende ata nuk po japin sinjale të qarta se kush do të jetë numri “1” i ri në kuadrat. Por si erdhi e gjithë kjo fatkeqësi?!
Nuk kam nevojë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje retorike, sepse Nojer e krijoi vetë rrëmujën e madhe. Nëse do të ishte treguar më i kujdesshëm fokusi do të ishte në takimin e radhës, jo në problemet e brendshme.
Objektivat e ‘rekordmenëve’ dihen, çka nënkupton luftimin në çdo front, ama nëse ata dështojnë, fatura e këtij çmimi ka për të rënë me të drejtë në supet e Nojerit. Kur them dështim nuk e kam fjalën vetëm në Ligën e Kampionëve, por edhe në Bundesligë, pasi diferenca me ndjekësit nuk ka krijuar hendek të parikuperueshëm”, përfundoi ish-mesfushori i Bajernit.