ngerci ne kuvend vazhdon zgjedhja e presidentit ne qender te dialogut politik 6a823053633dd

Ngërçi në Kuvend vazhdon, zgjedhja e presidentit në qendër të dialogut politik

August 16, 2026
min lexim

Ngërçi institucional po vazhdon. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar dialog mes partive për tejkalimin e krizës, duke thënë se çështja e të parit të shtetit duhet të jetë në qendër të bisedimeve. Teksa PDK dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, nga Kuvendi thonë se nuk ka pasur njoftim zyrtar për mbajtjen e seancës. Avni Dehari insiston se ajo nuk do të vazhdojë pa një marrëveshje politike për presidentin.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e saj për takim konsultativ me krerët e subjekteve politike parlamentare.

Haxhiu ka thënë se ftesa kishte për qëllim gjetjen e një konsensusi politik për tejkalimin e ngërçit institucional. Refuzimin e saj ajo e ka vlerësuar si veprim të gabuar dhe si mungesë vullneti për të tejkaluar, siç i ka quajtur, “pozicionimet barrikaduese”.

“Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe, mbi të gjitha, mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë”.

Sipas Haxhiut, tri procese zgjedhore me rezultate të përafërta dëshmojnë se pa dialog politik nuk mund të ketë zgjidhje për krizën institucionale. Ajo ka thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit, ndonëse formalisht është hapi i tretë, në rrethanat aktuale duhet të jetë pika e parë nga e cila duhet të nisë dialogu politik.

“Nëse në dimër e pranverë të këtij viti kërkesa e ankesa ishte që të flitej paraprakisht para çdo konstituimi të institucioneve, pavarësisht rezultatit, tash është momenti, mundësia dhe domosdoshmëria për ta zbatuar këtë gjë. Të nisim jo nga ajo çfarë mundemi me lehtësi ta bëjmë, por nga ajo çfarë realisht është nyja që po na çon vazhdimisht në zgjedhje: çështja e presidentit”.

Ndërkohë, paradite, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës shkoi në Kuvend, pasi i kishte kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të thërrasë vazhdimin e seancës. Në Kuvend u panë edhe deputetë të Aleancës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është më vetëm “krizë politike”, por çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues, institucioneve dhe vetë Republikës.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se mbyllja e derës së sallës së seancave plenare po bëhet me qëllim.

Administrata e Kuvendit doli me një njoftim, duke sqaruar se për datën 16 gusht nuk kishte pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

Administrata ka theksuar se mungesa e njoftimit nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare.

“Me komunikimin zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata e Kuvendit do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike në kuadër të kompetencave të saj”.

Kjo është hera e tretë që deputetët e PDK-së dhe Aleancës bëjnë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërkaq, ka përsëritur qëndrimin se vazhdimi i saj nuk do të thirret pa një dakordim politik për kreun e shtetit.

Pikërisht për këtë çështje, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se i pret partitë politike në takim të mërkurën.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

gostivar sulmon gruan dhe e detyron te kryeje marredhenie seksuale me 6a8219cfbd20f
Lajmi i mëparshëm

Gostivar, sulmon gruan dhe e detyron të kryejë marrëdhënie seksuale me…

aksident ne aksin shengjin lezhe plagosen kater persona dy prej tyre femije 6a8230cf36d79
Lajmi i radhës

Aksident në aksin Shëngjin–Lezhë, plagosen katër persona, dy prej tyre fëmijë

Të fundit nga

ShkoLartë