Nga stërvitjet me babanë, goli i parë në Premier Ligë e deri te refuzimi i Anglisë për Shqipërinë – Broja zbulon çdo gjë

min lexim

Ylli shqiptar, Armando Broja, në një intervistë për “ThePlayersTribune”, ka zbuluar çdo gjë se si ka filluar karriera e tij si futbollist.

Broja tregoi se çfarë ndikimi të madh kishte babai i tij në ndërtimin e karrierës së tij si futbollist, dhe se si e ndihmoi atë që të ngjitet drejt majave më të larta të futbollit evropian.

Po ashtu, ylli i Chelseat zbuloi se babai i tij e ka ndaluar që të pensionohet nga futbolli deri sa ai ta dërgoj Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës.

“Nëse e njihni babanë tim, do e dinit se ai bënë gjysmë-shaka. Ndoshta një çerek shakaje. Ai thotë, ‘Armando, ty nuk të lejohet të ndalosh së luajturi futboll deri sa ta dërgosh Shqipërinë në një Kampionat Botëror’. Dua të ju tregoj paksa se nga vjen ky mentalitet i imi dhe se çfarë nënkupton për mua që të luaj për Shqipërinë. Gjithçka filloi me babanë. Dëshira e tij ka qenë që fëmija e tij të ketë sukses. Duke u rritur, nuk kishte asnjë minutë për të humbur. Koha ishte gjëja më e çmueshme për të. Tani ne bëjmë shaka se suksesi im është 50-50. Gjysma e ima dhe gjysma tjetër e tij dhe e nënës sime”, tha Broja.

Më tej, Broja tregon se pavarësisht sa shumë punonte babai i tij, kur kthehej nga puna, gjithmonë kishte kohë edhe për stërvitjet e yllit shqiptar. Madje, ai do e detyronte Brojën që të vraponte edhe në kodra.

“Më kujtohet kur unë isha i ri dhe vetëm sa kisha filluar me futbollin, dhe ai vinte në shtëpi pasi që kishte punuar vonë dhe ishte i lodhur. Mund të ishte ora 10 ose 11 i natës dhe ai mund të kishte punuar 15 orë në ditë, por gjithmonë më ka pyetur, ‘Armando, a e ke bërë stërvitjen tënde sot?. Sigurisht gënjeja duke thënë ‘mmm, po’. Ai e dinte të vërtetën dhe më pas shkonim në park dhe më detyronte të vrapoja. 20 herë rreth fushës.

Në moshën 16 vjeçare u rrita shpejt, dhe ai brengosej se unë do ta humbja shpejtësinë. Shpejtësia ka qenë gjithmonë një nga pikat më të forta të mija. Kështu që më dërgoi të vrapoja në kodra, çdo herë nga një orë. Mezi më mbanin këmbët te fundi i kodrës dhe ai qëndronte mbi mua dhe më thoshte, ‘Jo, duhet përsëri. Edhe një tjetër. Mbrojtësit do të kapin ty”, tha Broja,

Broja shpjegoi edhe se çfarë domethënie të madhe kishte goli i tij i parë në Premier Ligë, ku ylli shqiptar kishte shënuar kundër Leeds United më 16 tetor të vitit 2021. Pas atij goli, broja u bë lojtari i parë në histori që ka shënuar gol në Premier Ligë.

“Kur topi hyri në rrjetë kundër Leeds, isha i humbur në atë moment. Nuk e dija as se si të festoj, ishte ndeshja ime e vetme e parë nga minuta e parë në Premier Ligë. Po ashtu, e dija se prindërit e mi ishin duke u çmendur në stadium, por pas ndeshjes, kur isha duke qëndruar në rrjetet sociale, shihja çdo kund: Armando Broja është lojtari i parë shqiptar që shënon në Premier Ligë. Reagimi im ishte ‘oh wow’. Pas ca kohësh u mësova me këtë gjë, me atë se çfarë nënkuptonte të bëja histori”, tha Broja.

Ylli i Chelseat tregoi edhe se si kishte refuzuar të luante për Anglinë U21, pasi që dëshironte të luante vetëm për Shqipërinë.

“Kishte një moment kur Anglia U21 më kërkonte mua, po, unë mendova për atë gjë dhe për të ardhmen time, por sinqerisht, nuk mu desh të mendoja gjatë. Unë jam rritur në Angli, por jam krenar që jam shqiptar. Sinqerisht, jo shumë njerëz e dinë se çfarë shteti i bukur është Shqipëria, me plazhe fantastike, fshatra të bukur dhe me njerëz tejet të shoqërueshëm. Çdo herë që unë udhëtoj për detyrat me kombëtaren dhe e vesh fanellën kuq e zi, unë e ndjej një krenari dhe emocione të pashpjegueshme”, tha Broja.

Për fund, Broja tha se dëshiron që të bëhet Harry Kane, Cristiano Ronaldo dhe Ronaldo (R9) i Kombëtares së Shqipërisë. Ai dëshiron që ta dërgojë Shqipërinë në Kupën e Botës dhe se kur karriera e tij të përfundojë, emri i tij të jetojë gjatë për Shqipërinë dhe për babanë e tij.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kosovë, atdheu ynë i dashur, maskarenjtë po të vrasin çdo ditë, po ti mos u dorëzo, qëndro e fortë ashtu siç ke qëndruar ndër shekuj..!

Story i radhës

Mexhiti: Interpelanca metodë demokratike

Të fundit nga