Nga sot, Kosova dhe Serbia pa dokumente për hyrje/dalje

min lexim

Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës.

Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet.

Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.

“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.

Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar.

Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori.

Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e ka shtyrë për 30 ditë.

Palët, ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë.

Nga 1 shtatori në Kosovë pritet të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia.

Edhe kjo masë është dashur të nisë nga 1 gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë.

Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.

Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ngjarjet e datës 1 shtator

Story i radhës

Shqipëria ishte bërë me mbret para 94 vjetësh

Të fundit nga