Të shtunën, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe e ka proceduar atë për shqyrtim në Kuvend.
Sipas ekzekutivit, nisma synon themelimin dhe organizimin e Byrosë, përcaktimin e kompetencave të saj dhe rregullimin e procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, qëllimi i të cilit është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe përcaktimi i procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë së Kosovës.
Në konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se nisma është rezultat i një procesi të gjatë të hartimit dhe rishikimit, dhe se gjatë të cilit janë marrë parasysh vlerësimet e institucioneve relevante dhe komentet e shoqërisë civile.
“Një lajm po ashtu jashtëzakonisht i mirë është që po dërgojmë në Kuvend edhe ligjin për Byronë. Që nga mandati i kaluar ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”, tha Gërvalla.
Ajo ka sqaruar se Byroja nuk do të ketë kompetencë për të marrë vendim përfundimtar për konfiskimin e pasurisë, duke theksuar se kjo kompetencë i takon gjykatës.
“Ky ligj nuk më krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standarde të përcaktuara të provës dhe me të drejtë ankese. Byroja ka rol përgatitor dhe analitik. Ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore e paraqet çështjen para gjykatës. Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim. Vendimin përfundimtar, përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata”, tha Gërvalla.
Ekspertët vlerësojnë se, krahas rëndësisë së luftimit të korrupsionit, është e domosdoshme që projektligji të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të sigurojë një mekanizëm funksional në praktikë.
Sipas ekspertëve, qëllimi i luftimit të korrupsionit mund të arrihet vetëm nëse mekanizmat institucionalë funksionojnë dhe ligjet zbatohen në praktikë.
Halilaj: Tash është radha që Kuvendi ta përfundojë procedurën për Byronë e Konfiskimit

Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se procedimi i këtij projektligji përbën një hap të rëndësishëm, duke theksuar se tashmë ai ka kaluar edhe leximin e parë në Kuvend.
“Si jurist, e shoh si një hap të rëndësishëm procedimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Zyrën e Kryeministrit.
Nuk duhet harruar se ky projektligj tashmë ka kaluar leximin e parë në Kuvend. Tash, procedura duhet të vazhdojë në përputhje me rregullat parlamentare dhe kushtetuese.
Nga aspekti procedural, pas procedimit në Qeveri, projektligji i nënshtrohet shqyrtimeve përkatëse dhe më pas vazhdon në Kuvend, ku trajtohet në komisionet parlamentare, shqyrtohen amendamentet eventuale dhe procedohet për leximin e dytë në seancë plenare”, ka thënë ai.
Sipas tij, para vazhdimit të procedurave të tjera, është e nevojshme që teksti të harmonizohet me standardet kushtetuese.
“Në këtë proces, është me rëndësi që të gjitha vërejtjet juridike dhe kushtetuese të jenë adresuar siç duhet. Pikërisht për këtë arsye, rishikimi i projektligjit dhe harmonizimi i tij me standardet kushtetuese është një hap i domosdoshëm para se të vazhdohet me fazat e tjera.
Në aspektin përmbajtësor, qëllimi është i qartë: krijimi i një mekanizmi institucional për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit. Duhet të theksohet se Byroja nuk është gjykatë dhe nuk merr vetë vendim përfundimtar për konfiskimin e pasurisë. Vendimi përfundimtar i takon gjykatës, në përputhje me procedurat ligjore”, ka shtuar ai.
Po ashtu, avokati Halilaj e ka cilësuar këtë si një reformë që duhet të trajtohet me seriozitet, veçanërisht për shkak të synimit për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në raport me pasurinë e pajustifikueshme.
“Si avokat, konsideroj se kjo është një reformë që meriton të trajtohet me seriozitet, sepse synon të vendosë një standard më të lartë të llogaridhënies dhe transparencës në raport me pasurinë e pajustifikueshme.
Në fund, përtej debateve politike, ajo që ka rëndësi është që procesi të përfundojë në mënyrë kushtetuese dhe ligjore dhe që mekanizmi i krijuar të jetë realisht funksional.
Reformat që synojnë luftimin e korrupsionit dhe rritjen e llogaridhënies institucionale duhet të mbështeten kur janë të ndërtuara mbi baza të shëndosha juridike.
Tash është radha që Kuvendi ta përfundojë procedurën dhe ta japë verdiktin e tij përfundimtar”, ka thënë Halilaj për “Bota sot”.
Burjani kërkon panel ndërkombëtar gjyqtarësh e prokurorësh

Kurse, edhe Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, komentoi projektligjin në fjalë.
Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si deri më tani është luftuar krimi i organizuar dhe pasuria e krijuar në mënyrë të paligjshme.
“Kosova asnjëherë deri më tash, me këtë infrastrukturë, nuk e ka luftuar krimin e organizuar dhe milionerët e bërë në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Burjanit, një prej rrugëve që do të mund të sillte rezultate konkrete do të ishte krijimi i një paneli të veçantë me gjyqtarë dhe prokurorë që do të merreshin me rastet e korrupsionit.
Gjithashtu, ai ka propozuar që në këtë mekanizëm të përfshihen edhe gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, duke e konsideruar këtë si një mundësi për trajtimin më efikas të rasteve të korrupsionit.
“Një panel gjyqtarësh ndërkombëtarë dhe prokurorësh është e vetmja shpresë që do të kryente punë. Këtu s’ka kush të merret me këtë punë, prandaj nuk ka çka të komentohet”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


