Nga ngritja e Këshillit të Bashkimit te formimi i këshillit të të Urtëve, propozimet e Flutura Açkës për zgjidhjen në PD

April 13, 2022
min lexim

Deputetja e PD, Flutura Açka ka propozuar zgjidhje për krizën në PD duke sugjeruar formimin e Këshillit të të Urtëve si dhe ngritjen e Këshillit të Bashkimit.

Në shkrimin e saj, Açka propozon: Ngritjen e Këshillit të Bashkimit të Partisë Demokratike, shpalljen e bashkimit të plotë të Partisë Demokratike nën një logo, nën një slogan, shpalljen e një amnistie i të plotë politike, morale, etike, shpirtërore mes demokratëve; shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të njëanshme të kryera deri tani në strukturat vendore nga Komisioni i Rithemelimit; shpalljen e hapjes së fushatës për kreun e PD; shpalljen e muajit Shtator si koha për zgjedhjen e Kryetarit të ri të PD-së dhe për Kryetarët e Degëve në rrethe.

Flutura Açka e ka nisur shkrimin e saj me “Platforma Curzio” duke sugjeruar se është zgjidhja e duhur për demokratët të cilët janë të përçarë edhe pse Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit. I komanduar është Enkelejd Alibeaj, të cilit Berisha i kërkoi dorëheqjen në mbledhjen e djeshme që zgjati më shumë se 5 orë pasi ka ankimuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri për të njohur Rithemelimin si organ zyrtar të PD.

Açka sugjeron që bashkimi të nisë me sakrificën e Sali Berishës, që e cilëson të ngjashme me atë të legjendës së Curzios.

Postimi i plotë

“Siç mund ta ketë vënë re çdo shqiptar ditët e fundit, pas gjithë asaj rrokapjekjeje të madhe demokrate të muajve të fundit, demokratët dhe kampi ynë demokrat nuk prodhon më asnjë lajm për shqiptarët, madje edhe kongresi kashtor socialist, pas të cilit fshihet një strategji edhe më e egër sundimi mbi shqiptarët, bëri më shumë lajm se kampi demokrat, i cili shumë-shumë pati njoftime periferike të zgjedhjeve rrethinore që i përçanë edhe demokratët e fundit që kanë rezistuar. Kjo, sepse skenari i PD-së në kushtet e krijuara dihet se si do të jetë, dihet edhe se çfarë do të prodhojë. Gjithçka do të prodhojë, vetëm fitore ndaj këtij regjimi, jo!

Edhe pse pala që pushtoi godinën me të gjitha format pseudoligjore, mbase edhe antiligjore, e mohon kategorikisht palën tjetër në PD, ajo palë ekziston mirëfilli. Janë me mijëra e mijëra demokratë nëpër gjithë Shqipërinë që ndihen të papërfaqësuar nga Foltorja, që u distancuan nga gjuha e saj, që nuk u përfshinë në fushten e linçmimit që ajo prodhoi mes demokratëve.

Po t’i shtosh asaj edhe pjesën e heshtur që nuk flet ose atë pjesë që është tërhequr përfundimisht nga aktivizimi me PD-në, por që do të kthehej në kohëra më të mira të PD-së, ka të ngjarë që e gjithë kjo të jetë shumë më shumë se strukturat që pretendohet se po ndërtohen me një shpejtësi të pashpjegueshme nën udhëheqjen e Rithemeluesve. Mjafton të shohim fotot e fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe fotot e të ashtuquajturave zgjedhje të tanishme për strukturat e PD-së në bazë dhe e kupton se ku ka katandisur PD-ja. Dukej të jesh naiv, që të mos them i paturp, të mos e kuptosh këtë, dhe të vazhdosh madje ta përligjësh me shakanë zgjedhore të 6 marsit të këtj viti.

Kështu do të shkojmë ne në zgjedhjet e ardhshme? Duke i rënë mohut e duke i përjashtuar nga procesi i bashkimit një pjesë të nderuar demokratësh, të cilët kanë sakrifikuar tridhjetë vite të jetës së tyre për karriget e një shpure që vodhi, grabiti e përfitoi të gjitha privilegjet, dhe që për çudi ka ende moralin të shpallë se do të jetë ajo reformatorja e PD-së? Këtë nuk ka demokrat që e beson më, dhe ky është caku i shqyrtimit dhe i reflektimit historik që do ta mbajë bashkë ose do ta shembë përfundimisht PD-në.

Demokratët janë ende në kohë, nëse duam ta kapin kohën dhe nëse duan vërtet të luftojmë me regjimin që kanë përballë. Gjithçka varet vetëm nga vullnetet, dhe ato duket që nuk ka shqyrtim që t’i rrashinojë.
Por çfarë është sot PD-ja?

PD-ja e sotme është një shtëpi ku banon një aliash demokratësh të përçarë: demokratë që kanë lindur dhe do të vdesin të tillë çfarëdo që të ndodhë me krerët në PD, nga ata që adhurojnë me hir a pahir Berishën prej numrave pas tij, nga fanatikë që të “vrasin” për Berishën, nga ata që kanë filluar të japin minutat parlamentare për të dhe të tjerë të kthyer në klone të tij edhe pse në prematurë politike, nga ithtarë të betuar të Bashës, të tjerë krejt të shkujdesur me të dy dhe të vendosur për largimin e të dyve, të tjerë të tërhequr përkohësisht duke pritur një të tretë që t’i bashkojë, e shumë të tjerë. Më së shumti janë nga këta të fundit. Si mund të bashkohen gjithë këto rryma e ndjeshmëri demokrate që luten dhe presin një parti të fortë e fituese?

Ka vetëm një rrugë për bashkimi i vërtetë për demokratët, bashkim që nuk mund të ndodhë pa “sakrifica” dhe radhët e mia u drejtohen të parëve atyre që e kuptojnë thelbin e këtyre sakrificave, që shkojnë përtej personales. E di që kjo nuk do t’i dokëndisë shumë, por duke e shpallur nevojën e këtyre sakrificave akute, kam qetësinë e ndërgjegjes së dikujt që i ka thënë gjërat kur duhen thënë.
Ky bashkim është i detyruar të nisë nga sakrifica e Sali Berishës, e ngjashme me atë të legjendës së Curzios, thelbin e së cilës po e them shkurt: pas tërmetit të vitit 362 BC në Romë, në Forum, në vendin ku bëhej politika e merreshin vendime, u hap një gropë aq e madhe, mbushja e së cilës mund të arrihej vetëm duke hedhur aty gjënë më të vlefshme që romakët kishin. Marco Curzio, një luftëtar i ri i veshur me armë e stoli, i bindur se gjëja më e vlefshme e tyre, ishte guximi, shaloi kalin dhe u hodh në humnerë, e cila u mbyll sa hap e mbyll sytë.

Por ndryshe nga legjenda, demokratëve koha u kërkon të sakrifikojnë një luftëtar të vjetër. Ose e thënë më mirë, që ky luftëtar i vjetër të vetësakrifikohet për PD-në. Ky është kushti i parë që tërmeti që kemi pësuar t’i mbyllë plagët, dhe kjo është ora historike e PD-së. Ajo kërkon jo vetëm tërheqjen e Sali Berishës, por edhe shmangien pa bujë të një shpure rrotull tij, që për fat të keq u kujtojnë shqiptarëve vitin 97, vjedhjet me vrimat e naftës e minierave, makinat qindra mijëra euro me të cilat enden rrugëve dhe të gjitha abuzimet për të cilat nuk ka shqiptar që i voton më. Ata nuk kanë më çfarë t’u thonë demokratëve e për çfarë shqiptarët t’i besojnë më.

Pas kësaj tërheqjeje të respektuar dhe përbashkuese, duhet të fillojë një proces i hapur që nis atëherë kur palët pranojnë që janë palë dhe të vendosin:
1. Ngritjen e Këshillit të Bashkimit të Partisë Demokratike (Grupi, a Komisioni), i përbërë nga anëtarë të zgjedhur me mirëkuptimin e të dyja palëve, një grup i zhdërvjellët, punëmbaruar dhe mendjehapur, autoritarë dhe të papërfolur, dhe jo më shumë se 10-15 vetë. Ky Këshill, të cilit do t’i besohet procesi i bashkimit dhe hapjes së PD-së, do të ndihmohet nga një shtab, më së shumti të rinj, që do të përgatisin të gjithë infrastrukturën për ta çuar deri në fund projektin e bashkimit të PD-së, i cili duhet të nisë menjëherë.

Këshilli i Bashkimit të Partisë Demokratike, duhet të që menjëherë me krijimin e tij:
– Të shpallë: Bashkimin e plotë të Partisë Demokratike nën një logo, nën një slogan. Për këtë Këshilli i Bashkimit të PD-së duhet të bëjë një tur të plotë në bazë në çdo rajon e strukturë vendore, në mënyrë që të përçojë kushtet e bashkimit dhe të krijojë lidhjet e humbura me demokratët kudo që të jenë. Ky duhet të jetë një aksion i sinqertë dhe bindës, që do të sjellë një frymë dhe atmosferë të re besueshmërie mes demokratëve.
– Të shpallë: Një amnisti të plotë politike, morale, etike, shpirtërore mes demokratëve. Të kërkojë prej demokratëve të shuajnë inatet e vjetra dhe ato të mbjella rishtas dhe t’u kërkojë ta nisin nga e para.

– Të shpallë: Pavlefshmërinë e zgjedhje të njëanshme të kryera deri tani në strukturat vendore nga Komisioni i Rithemelimit, proces që i ka lënë jashtë një pjesë të mirë të demokratëve dhe të përgatisë kushtet për zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse.
– Të shpallë: Hapjen e PD-së ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj shoqërisë civile dhe kujtdo që dëshiron të kontribuojë në demokraci, ndaj personaliteteve të të gjitha fushave dhe veçmas ndaj Diasporës së Re Shqiptare, e cila është e gatshme të ndikojë në fatet e vendit.

– Të shpallë: Hapjen e menjëhershme të fushatës së zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike, që do të vijoje pas hapjes së PD-së, përmes një procesi të gjatë, transparent, të ndershëm, të barabartë dhe promovues. Ndoshta jo të gjithë konkurruesit do të jenë Kryetarë të PD-së, po ata do të bëjnë bërthamën e lidershipit të ardhshëm të saj. T’i jepet mundësia vajzave e djemve me kontribute në PD, por edhe të tjerë kontibutorëve shoqërorë dhe atyre të Diasporës të konkurrojnë në drejtimin e Opozitës. Të krijojë të gjitha lehtësirat dhe barazinë në promovimin e demokratëve në bazë, por edhe të figurave të përzgjedhura nga procesi i seleksionimit për strukturat qendrore të saj. Të përgatisë forumet lokale të njohjes dhe promovimit të programeve individuale të kandidaturave pretencioze, në kushte të barabarta në media dhe krejt ndryshe nga përvojat e pakëndshme nëpër të cilat kemi kaluar në procesin e zgjedhjeve deri më tani.

– Të shpallë: Muajin Shtator si koha për zgjedhjen e Kryetarit të ri të PD-së dhe për Kryetarët e Degëve në rrethe, kohë e mjaftë për bashkim, ristrukturim, analizë, zgjedhje e promovim të më të mirëve. Gjithnjë sipas parimit një anëtar një votë.
2. Ngritjen e Këshillit të të Urtëve të Partisë Demokratike (a Senatorëve), që do të jetë një organ këshillues gjatë gjithë procesit të bashkimit dhe zgjedhjeve. Padyshim që do të ishte edhe në nderin e këtij këshilli që të drejtohej nga Sali Berisha dhe të përfshiheshin në të figura me kontribute të vyera, si A. Meksi, J. Topalli, A. Patozi, D. Shehaj. L. Basha, G. Ruli, P. Zogaj, M. Bregu e të tjerë që nuk do të kurseheshin në bashkimin dhe ringritjen e PD-së.

Të gjitha këto janë procese dhe do të duan kohë e durim, por mbi të gjitha një tërheqje të të gjitha palëve. Të lodhur nga humbjet e njëpasnjëshme, demokratët janë duke pritur drejtuesit e tyre që t’i çojnë në hullinë e fitores. Por fitorja nuk mund të vijë pa kuptuar hullinë e gabuar dhe pa sakrifikuar për një kauzë përtej personales.
Flutura Açka, 13 prill 2022

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Bullgaria prej sot nuk kërkon certifikata vaksinimi për shtetasit e Maqedonisë

Story i radhës

Shteti hungarez bëhet aksioner në ALBtelecom dhe ONE

Të fundit nga

ShkoLartë