Mediat vendase raportuan sot se, një shtetas rus i cilësuar me rrezikshmëri ka hyrë në Shqipëri nga Mali i Zi dy muaj më parë përmes doganës së Hanit të Hotit në Shkodër. Vladislav Pozdniakov është një person i shpallur në kërkim prej kohësh në Malin e Zi pasi është i dyshuar për njoftime të rreme me email për vendosje bombash në shkollat e Malit të Zi.
Po ashtu shtetasi rus dyshohet se ka dërguar emaile kërcënuese edhe institucioneve shtetërore në Malin e Zi, policisë, Ministrisë së Brendshme, shërbimeve të tjera të sigurisë dhe institucioneve të tjera duke kërkuar ndryshime në qeverinë e Malit të Zi. Të kërcënuara me emaile për vendosjen e bombave nga Pozdniakov janë edhe media të ndryshme në shtetin fqinj teksa i ka kërkuar që të mbajnë qëndrime pro Rusisë.
Po kush është Vladislav Pozdniakov?
Vladislav Pozdniakov është themelues i grupimit “shteti mashkullorë” në Rusi, një grup ekstremist i krijuar në vitin 2016 që nënkupton, vendosjen e statusit të supozuar të shtypur të burrave dhe po ashtu në rrjetet sociale por edhe ka patur raste konkrete kur ka treguar se Pozdniakov është kundër grave dhe vajzave të cilat sipas tij përfitojnë përmes burrave të shtypur.
Ky shtetas që është i shpallur në kërkim në Malin e Zi dhe tashmë kërkohet edhe nga autoritetet shqiptarë është dënuar në vitin 2018 në Rusi si drejtues i organizatës ekstremiste së bashku me katër anëtarë të grupimit “shteti mashkullor”, por Pozdniakov nuk shkoi në burg pasi u dënua me kusht duke u lënë i lirë nga gjykatat ruse.
Më pas në 2018-ën ai është larguar nga Rusia duke mbërritur në Malin e Zi deri më 4 shkurt të këtij viti, datë në të cilën rezulton se është futur në territorin shqiptar me një automjet me targa ruse. Pozdniakov është mbajtur për mbi një orë në doganën e Hanit të Hotit por më pas ka kaluar sepse nuk ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar duke mos rezultuar në listën e Interpol. Anëtarët e tjerë të grupimit “shteti mashkullor” janë lënë në burg përveç Pozdniakov që mori dënimin me kusht duke u lënë i lirë.
Së fundmi një gjykatë ruse e ka shpallur të paligjshëm organizatën “shteti mashkullor” por Pozdniakov nuk ka qenë i pranishëm dhe është përfaqësuar nga një avokat. Rusi cilësohet si një person me rrezikshmëri për shkak të veprimtarisë së tij ekstremiste dhe emaileve kërcënuese për vendosje bombash. Është ende e paqartë nëse Vladislav Pozdniakov ndodhet ende në territorin shqiptar apo ka gjetur një mënyrë ilegale për t’u larguar në ndonjë shtet tjetër.
Mirëpo, rusi Vladislav Pozdniakov nuk është i vetmi shtetas i huaj, i cili ka gjetur strehë në Shqipëri për t’iu fshehur shteteve të ndryshme, të cilat e kanë vendosur në majë të listës së të shumëkërkuarve për vepra nga më të ndryshmet penale, disa prej të cilave tepër të rrezikshme.
POR, CILËT JANË DISA NGA TË SUPERKËRKUARIT E HUAJ NË MBARË BOTËN QË THUHET SE STREHOHEN NË VENDIN TONË?
Një prej tyre është një ish-polic i arratisur, e i shumëkërkuar nga Serbia, Danilo Stojanoviç. Ai kërkohet nga kolegët atje me dyshimin se ishte anëtar i grupit kriminal të Darko Sariçit. Sipas mediave serbe, ai dyshohet se ështhë arratisur nga Mali i Zi në Shqipëri. Këtë e kanë konfirmuar disa burime nga Drejtoria e Policisë (UP), duke sqaruar se ai është arratisur nga policia malazeze, e cila ka tentuar ta kontrollojë në pikën kufitare Grnçar.
Një nga burimet ka thënë për “Vijesti” se Stojanoviç ka qenë shoqërues në një veturë që ka mbërritur në pikën kufitare Grnçar nga drejtimi i Malit të Zi.
“Kur policia ka filluar kontrollin, Stojanoviç ka dalë nga vetura dhe ka ikur. Kërkimi për të është në vazhdim e sipër”, thanë dëshmitarët.
Një burim tjetër shpjegoi se vetura në të cilën Stojanoviç ishte “e ndarë për kontroll të detajuar”, dhe se ai më pas doli me vrap nga automjeti. Për të në Mal të Zi nuk është lëshuar fletarrest, as Serbia nuk ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Në urdhrin për zgjerimin e hetimeve të Prokurorisë për Krimin e Organizuar të Serbisë, përveç Pljevljak Darko Sariçit janë përfshirë edhe 11 persona të tjerë. Ata e akuzojnë Sariçin për organizim të një grupi të organizuar kriminal në periudhën nga fillimi i vitit 2020 deri më 14 prill 2022, i cili ka zbatuar një plan kriminal në shkallë ndërkombëtare në territorin e Amerikës së Jugut. Sariç dyshon se e ka formuar këtë grup kriminal për të negociuar blerjen e paautorizuar të kokainës, transportin e saj në Evropë – me qëllim shitjen e mëtejshme.
“Dhe gjithçka me qëllim përfitimin financiar duke kryer veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe ka organizuar dhe urdhëruar kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në dëm të Milan Milovaçit”,thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar të Republikës së Serbisë.
Kreu i policisë malazeze tha më herët për “Vijesti” se informacionet e tyre, të marra nga shërbimet partnere, tregojnë se grupi i Sariçit dyshohet për vrasjen e Milan Milovaçit, i njohur si Cigla, në Ekuador në janar të vitit të kaluar. Prokuroria për Krimin e Organizuar të Serbisë ka njoftuar se në bazë të kallëzimit penal të MPB-së së Serbisë – Drejtoria e Policisë Kriminale dhe Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar, pas procedurës para hetimore dhe grumbullimit të provave, kanë lëshuar urdhër hetojnë Sariç, Dejan Lazareviç dhe Bojan Stanojkoviç, Danilo Odoviç, Aleksandar Boškoviç, Nikola Spasojeviç, Danilo Stojanoviç, Milutin Radovanoviç, Dushko Mirkoviç, Stefan Andrejiç, Marko Vukiç dhe Uroš Radovanoviç.
Një 27-vjeçar me origjinë shqiptare por lindur dhe rritur në Francë, është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet për një vrasje të kryer atje. Sipas policisë, i riu i identifikuar me emrin Tedi Qirjako kishte ardhur në Shqipëri për tu fshehur pas krimit që kishte bërë në qytetin e tij të lindjes. Qirjako kishte hyrë në Shqipëri me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar. I riu kishte mbërritur në muajin tetor të vitit të shkuar për t iu fshehur autoriteteve franceze ndërsa jetonte në një hyrje me qira ne Rrugen e “Barrikadave” Qirjako akuzohet se ka vrarë me pistoletë një shtetas në qytetin Nantes.
Disa kohë më parë, u arrestua në Tiranë, Faruk Baybasin i dënuar po nga Franca me 30 vite burg, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike nga Turqia.
Më herët një 47-vjeçar italian u kap nga blutë e Tiranës pasi ishte shpallur në kërkim nga interpol Roma. Pasquale Scalise 47 vjeç kishte ndryshuar emrin në Andrea dhe jetonte në Tiranë në zonën e “Ali Demit”. Gjykata italiane e ka dënuar 47-vjeçarin me 11 vite e 6 muaj burg për veprat penale “Mashtrim Financiar” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Shtatorin e shkuar u ndalua në Tiranë një 35-vjeçar tjetër turk i kërkuar nga Zvicra pasi akuzohej për vrasjen e një shtetasi. Ndërkohë në fund të vitit 2018 ra një shtetas italian, pasi këkrohej nga autoritetet italiane për trafik të lëndëve narkotike. 40-vjeçari Giovanni Di Cosimo, lindur dhe banues në Bari ishte dënuar me 20 vite burgim.
Po në Durrës u kap dhe një 56-vjeçar të cilit iu sekuestruan dhe 750 mijë euro pasuri. Shtetasi italiane ishte i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje.