Pluhur saharian ditën e martë. Mbetet ngrohtë, por me erë dhe vransira. Në mbrëmje vonë reshje shiu.
Kështu njofton meterologu, Mendim Rugova përmes platformës së tij “Mendimi për Motin”.
“Për ditën e martë në vend mbetet ende mot i ngrohtë, megjithëse kalojnë më shumë vranësira. Do të fryjë erë mesatarisht e fuqishme nga jugperëndimi 5-14m/s, e në pjesë të Dukagjinit dhe Drenicës edhe të fuqishme me hove deri në 20m/s (70km/h)”, njofton meterologu.
Temperaturat minimale zbresin në 11 gradë celsius e 13 gradë celsius, e ato maksimale paksa më të ulëta, deri në 23C e 25C.
Gjatë mbrëmjes të reshura shiu paraqiten fillimisht nga pjesë perëndimore të vendit, e deri në mesnatë edhe pjesë tjera.
Tutje ai parashikon se në Kosovë ditën e martë parashihet të depërtojnë edhe koncentrime më të larta të pluhurit saharian pranë sipërfaqes, që mund të çojnë vlerat e çastit të indeksit të cilësisë së ajrit në të dobëta, apo ndotje më të rritur.
Më shumë të reshura shiu priten ditën e mërkurë dhe enjte, që aty këtu mund të shoqërohen edhe me bubullima.
Temperaturat zbresin në 12 gradë celsius e 14 gradë celsius të mërkurën, derisa të enjten në 9 gradë celsius.
Në vise malore priten të reshura dëbore.
“I paqëndrueshëm parashihet moti ditën e premte, me mundësi për reshje lokale shiu, e të shtunën shfaqen sërish kushte për më shumë shi. Nëse temperaturat minimale zbresin fare pranë 0 gradë celsius, nuk përjashtohen mundësi që reshje dëbore të shfaqen edhe në pjesë të Prishtinës”, ka njoftuar tutje meteorologu Mendim Rugova.