Nga e hëna, së paku dy javë, nxënësit nga shkolla rajonale e mjekësisë “Jane Sandanski” në Shtip do të ndjekin mësimet online, përcjell FLAKA.
Shkak për këtë është renovimi i sistemit të ngrohjes, për të cilin është kërkuar pëlqimi nga Komuna dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thotë drejtoresha e shkollës, Marija Nikoliq.
Mësimi do të vijojë përmes platformës “Microsoft Teams” dhe përveç teorisë me prezencë fizike, nxënësit do të humbasin edhe mësimin praktik.
“Nga e hëna shkolla e mesme “Jane Sandanski” – Shtip do të kalojë në mësimin online përmes platformës “Microsoft Teams” për shkak të rinovimit të sistemit të ngrohjes me qëllim të mbrojtjes së nxënësve dhe mësimdhënësve nga emetimi i substancave të dëmshme dhe ndërtimet në shkollë. Sigurisht, kjo është me pëlqimin e kryetarit të Komunës së Shtipit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Dëshiroj të falënderoj nxënësit, prindërit dhe mësuesit për mbështetjen e tyre, të gjitha me synimin për rehabilitimin në kohë të sistemit dhe fillimin në kohë të sezonit të ri të ngrohjes. Gjatë kësaj periudhe mësimi praktik do të zhvillohet edhe online”, thotë Nikoliq.
Vitin e kaluar nxënësit e shkollave të mesme nga shkolla e mjekësisë në Shtip përfunduan gjysmëvjetorin e parë me mësim online, pasi në dhjetor dështoi arteria kryesore për ngrohje. Ishte një sipërmarrje më e madhe, e cila kërkonte shumë burime financiare. Sistemi i ngrohjes në këtë shkollë ka një instalim të rrënuar që nuk është rinovuar prej 36 vitesh, sa ka ekzistuar shkolla. Më shumë se 700 nxënës nga rajoni ndjekin mësimin në shkollën e mjekësisë.