Nevojë urgjente përmirësimi i cilësisë në arsim!

November 1, 2024
min lexim

Shkup, 1 nëntor – Çështjet arsimore janë të rëndësisë së veçantë dhe të ndjeshme në të njëjtën kohë pasi flitet për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të cilët do të jenë edhe prijës në një të ardhme të afërt. Prandaj, ajo çfarë ndërtojmë sot do të korrim e shohim nesër. Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë, e aq më trishtë bëhet gjendja kur dalin rezultate të matjeve ndërkombëtare në këtë drejtim. Sipas testimi ndërkombëtar PISA që është më e besueshmja për matje të shkrim-leximit, Maqedonia e Veriut ka pësuar një regres dhe rënie të madhe duke u renditur në mesin e 10 vendeve të fundit. Ndryshe, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera, shkruan Zhurnal.

BE angazhohet edhe në përmirësimin e cilësisë në arsim –

Përfundoi konferenca e projektit “Përmirësimi i cilësisë në arsim” financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa shfrytëzues i fundit është Ministria për Arsim dhe Shkencë që do të mbahet sot në Shkup.

“Kjo ngjarje do t’i theksojë rezultatet kyçe, leksionet e mësuara dhe hapat e ardhshëm për të përmirësuar cilësinë në arsim. Gjithashtu, do të sigurohen mundësi të shkëlqyera për rrjetëzimin dhe diskutimin midis ekspertëve, edukatorëve dhe kreatorëve të politikës”, theksohet në kumtesë. Sipas agjendës në hapjen e konferencës, fjalim do të ketë ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, Stefan Hudolin nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pastaj drejtori i projektit “Përmirësimi i cilësisë në arsim” Nikollaj Sapunxhiev dhe ekipi i liderit të projektit Vesna Janevski.

Maqedonia e Veriut në 10 vendet e fundit për cilësi në arsim –

Nga 81 shtete Maqedonia e Veriut radhitet e 61-ta në PISA. Në shkrim dhe lexim në vendin e 71 nga 81 shtetet gjithsej, matematikë e 61-ta, dhe në shkencë në vendin e 68-tetë. Në testimin paraprak të PISA-s, që është zbatuar në vitin 2018, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë ishin listuar në vendin e 67-të nga gjithsej 77 shtete pjesëmarrëse. Ky krahasim dhe këto të dhëna janë tmerruese për atë se në çfarë drejtimi po shkon cilësia në arsim.

Në vend të progresit pason me një regres të hatashëm pra nga vendi 67 bie në vendin 61. Dhe, kjo flet qartësisht për sa i përket asaj se a ka pasur reforma në sistemin edukativo-arsimor. Në fakt, këto të dhëna flasin qartësisht për ngecjen e cilësisë në arsim, shifra alarmante dhe shqetësuese që duhet të ndërmerren masa në të kundërtën më vonë pasojat do të jenë të pariparueshme.

“Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut ruajnë nivelin që ishte në vitin 2018. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara , vendi ynë është në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim jemi renditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e rendit vendin tonë në vendin e 68-të në Evropë”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nuk qëndrojnë më mirë as vendet tjera të rajonit të cilat gjithashtu radhiten nga fundi i listës së shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria rradhitet e 66-ta në pjesën e shkrim-leximit, ndërsa në matematikë dhe shkencë në vendin 71. Kosova mban vendin e 76 në lexim, vendin e77 në shkencë, ndërsa vendin e 74 në matematikë. Ndërsa Serbia radhitet e 40-ta në lexim e shkencë, ndërsa në pjesën e matematikës mban vendin e 42-të.

Kujtojmë që, PISA është një nga testimet ndërkombëtare më kredibile dhe më të besueshme që mat shkrim-leximin, pra njohuritë e zbatueshme që i nevojiten nxënësit për të vazhduar arsimimin e tyre dhe për të pasur sukses në jetën e tij personale dhe profesionale. Detyrat në testet janë në lidhje me situata reale në të cilat mund të gjenden nxënësit dhe nëpërmjet përgjigjeve nuk matet riproduktiviteti por njohuria funksionale, e cila është e rëndësishme për lidhjen, kuptimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq–

56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.

49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk ​​kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.

Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.

Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk

BURIMI: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Guvernatori i Shqipërisë: Bankat janë nën sulme të vazhdueshme

Story i radhës

Ndriçim led, për të kursyer rrymë, Ambasada e Zvicrës “shpëton” Komunat e Pollogut

Të fundit nga

ShkoLartë