Departamenti Amerikan i Agrikulturës (USDA) është duke hetuar Neuralink në lidhje me shkelje gjatë testimeve kërkimore me kafshët.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, dokumente të brendshme tregojnë se stafi ka ngritur shqetësime lidhur me testimet e bëra me kafshët duke ju shkaktuar atyre vuajtje të panevojshme dhe vdekje.
Reuters tha se kompania ka vrarë 1500 kafshë, përfshirë mëse 280 dele, derra dhe majmunë që prej 2018-ës.
Këto numra nuk do të thonë se Neuralink ka shkelur ligjin, ndërsa kompania ka kaluar të gjitha inspektimet e USDA në ambientet e saj.
Por agjencia e lajmeve thotë se presioni nga themeluesi i Neuralink për të përshpejtuar proceset e zhvillimit ka çuar në eksperimente të dështuara dhe shtuar ritmin e vdekjeve më shumë sesa duhet.
Musk mësohet tu ketë thënë punonjësve kur lançoi kompaninë në 2016-ën se duhet të imagjinonin sikur kanë një bombë të lidhur në kokë për ti nxitur ata të punojnë më shpejtë.
Ai ju kishte thënë punonjësve se duhet të bënin progres ose të përballeshin me dështim, një gjë që ata e interpretuan si një mbyllje të kompanisë.
Në katër eksperimente ku ishin përfshirë 86 derra dhe dy majmunë, dështimi erdhi si pasojë e një gabimi njerëzor. Neuralink përsëriti këto eksperimente duke shkaktuar më tepër vdekje.
Në fillim të viti grupi për të drejtat e kafshëve Physicians Committee akuzoi kompaninë për praktika të ashpra. Neuralink pranoi se kishte vrarë gjashtë majmunë gjatë kërkimeve së bashku me Universitetin e Kalifornisë. Por ata mbrojtën kërkimin duke thënë se nuk kanë shkelur ligjin. /PCWorld Albanian