Nesër zgjidhet kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASh), në një mbledhje të mbyllur të Sinodit të KOASh-it, ku shtatë kryepriftërinjtë do të votojnë kryetarin e tyre.
Të shtatë kanë të drejtë të kandidojnë, për vetëm katër prej tyre janë shfaqur si kandidatë që kërkojnë mbështetje:
Fatmir Abedin Pelushi (Mitropoliti i Korçës, Joani),
Artan Lufti Merdani (Mitropoliti i Elbasanit, Andoni),
Adrian Pelivan Hyka (Mitropoliti i Fierit, Nikolla),
Enkeled Gjolek Mamaj (Peshkopi i Krujës, Anastasi).
Për sa u përket tre të tjerëve, dy janë grekë dhe njëri shqiptar, Mitropoliti i Beratit, Asti BakallBashi, i cili nuk përfillet për kandidat nga asnjëra palë, për arsye të problemeve të rënda me shëndetin mendor.
Ai ka dhunuar brenda në kishë (me grushta) disa klerikë, kur nuk i merrte rregullisht ilaçet. Ka pasur edhe raste kur kanë sjellë psikiatër fshehtas nga Greqia, për ta qetësuar me gjilpëra…
Për sa u përket dy grekëve që janë anëtarë të Sinodit, mitropoliti 85-vjeçar i Gjirokastrës dhe mitropoliti titullar në Kryepeshkopatë, këta përjashtohen nga kandidimi, por jo sepse i pengon Statuti, apo se nuk i duan shqiptarët, por se shërbimet e posaçme greke që drejtojnë KOASh-in e kanë bërë të qartë: Kryepeshkopi i ri duhet të jetë shqiptar, i emëruar prej tyre, në mënyrë që shkombëtarizimi i komunitetit ortodoks dhe projektet e shumta në gjithë Shqipërinë të përhapen edhe më gjerë dhe të jenë më të suksesshme.
Përndryshe, një kryepeshkop tjetër grek do të krijonte një problem imazhi, duke ushqyer grupime të ndryshme politike për ta kapur si temë përfitimi, me zhurmë mbi kombësinë e kryepeshkopit të ri, gjë që mund të shkaktonte ngadalësime në projektet greke në Shqipëri, por dhe investime më të mëdha greke për t’u mbyllur gojën fshehtas “nacionalistëve”.
* * *
Për parantezë, kjo ndodhi me “autoqefalistët” në vitet 1990, të cilët bënë shumë rrëmujë me Janullatosin, madje pushtuan edhe një kishë në Elbasan, por në vijim u blenë dhe e kyçën.
Shteti grek ka shumë përvojë në botën shqiptare, në Shqipëri dhe në diasporë, sidomos me politikanët, dhe ata e dinë shumë mirë se shqiptarët janë shumë të shtrenjtë në kësi punësh.
Për më tepër, të gjitha partitë janë të interesuara për çështjen ortodokse, sepse ekzistojnë fonde të mëdha dhe të fshehta: Shumica e projekteve greke në Shqipëri, me ndërtime kishash, institucionesh ortodokse, varrezash ushtarake, me mbi 500 rroga zyrtare, por edhe me qindra rroga të fshehta të agjenturës greke në vendin tonë, etj., të gjitha këto investime shumëvjeçare, pra, kryhen me fonde të errëta, të cilat futen në vend me mënyra të paligjshme.
Nuk është sekret se një pjesë e rëndësishme e marrëveshjeve të fshehta me politikanë dhe personazhe shqiptare bëhet në Amerikë, nga segmente të errëta të lobit greko-amerikan.
Është bërë traditë afatgjatë, pra, që shqiptarë me pozitë të përfitojnë para të madhe nga fondet greke, duke filluar që nga policitë kufitare, për të kaluar thesët me cash, e deri tek politikanë të lartë, për të blerë herë heshtje e herë vendime shtetërore që favorizojnë aktivitetet greqizuese në vendin tonë.
* * *
Zgjedhjet e nesërme janë protokollare dhe votimi i fshehtë nuk është aspak i fshehtë, sepse kryepeshkopi është emëruar e vendosur dhe nuk priten supriza. Edhe pse ka ngrënie midis dy anëtarëve shqiptarë të Sinodit (luftë për plaçkë), shteti grek e ka bërë të qartë se zëvendësuesi i Janullatosit do të jetë nxënësi i tij për 33 vjet, Mitropoliti i Korçës, Joani (Fatmir Abedin Pelushi).
Kushtet e shtetit grek për zëvendësuesin e Janullatosit janë përcaktuar që para dy dhjetëvjeçarëve, kur Janullatosi ishte 75 vjeç: Kryepeshkopi i ardhshëm nuk duhet të jetë nga familje ortodokse, por myslimane, dhe duhet të ketë dhënë prova afatgjata për projektet greke në Shqipëri.
Përderisa kandidatët e komunitetit ortodoks, shqiptarë dhe të kombësive të tjera, janë përjashtuar, sinodi u plotësua gradualisht me shqiptarë nga familje myslimane, siç renditen në krye. Edhe nëse ndodhnin përmbysje politike, apo nëse kishte ndërhyrje nga kisha ruse për të blerë disa anëtarë të Sinodit, me qëllim për të zgjedhur dikë tjetër, shteti grek i ka marrë të gjitha masat: Të gjithë anëtarët e Sinodit janë njerëz të shtetit grek, të rekrutuar në shërbime të errëta.
Me këtë mënyrë, shteti grek ka liri për të emëruar atë që e meriton më tepër, sepse Fatmir Pelushi ka dhënë provat më të mëdha dhe afatgjata për greqizimin e qarkut kishtar të Korçës për tre dhjetëvjeçarë; me futjen e greqishtes në shërbesa, me hapjen e shkollave greke, me deklarimin të mbi 90% të klerikëve si grekë, me ndërtimin e varrezave ushtarake greke, si dhe për mbështetjen e shkombëtarizimit ortodoks në përgjithësi.
Për më tepër, z. Pelushi është kandidati më i pëlqyer edhe për faktin se nuk ka studiuar në Greqi, nuk flet greqisht, gjë që ka ndihmuar shumë për të imponuar projektet greke në Shqipëri, “sepse nuk i imponojmë ne, me minoritarë grekë, por bëhen nga vetë shqiptarët, sepse i duan ata vetë”…
* * *
Shteti grek nuk pranon të bëjë bisedime dhe marrëveshje me shqiptarë ortodoksë në krye të KOASh-it, sepse zyrtarisht nuk njeh një identitet të tillë, përndryshe do të kundërshtonte vetveten: Greqia njeh vetëm grekë në komunitetin ortodoks, të cilët i rendisin si greqishtfolës dhe shqipfolës, si dhe shqiptarë myslimanë “të konvertuar nga grekët”. Në besoren greke feja përcakton kombësinë dhe jo me domosdo gjuha a gjaku. Ky është qëndrimi zyrtar i Greqisë.
Gjithsesi, pasqyra e anëtarësisë së Sinodit të KOASh-it, me shqiptarë nga familje myslimane, rrëzon tezën greke të Vorio Epirit. Ç’u bënë “qindra mijërat grekë”, apo dhe “dhjetëra mijërat”, në mëtimin më të butë fqinj? Kaq ateistë, të paaftë dhe të paqenë janë grekët e “Vorio Epirit”, saqë nuk kanë sot asnjë peshkop nga minoriteti grek, edhe pse për 33 vjet Kisha Ortodokse në Shqipëri drejtohet nga shteti grek, me fonde greke dhe me kryepeshkop grek?
Burimi: botasot.info