Nesër, 13 Gusht 2022, në një dimension krejtësisht tjetër nga organizimet konvencionale, në frymën e rinisë dhe muzikës do të shënohet përvjetori i 21-të i Marrëveshjes së Ohrit.
Bëhet fjalë për festivalin më të ri muzikor “Peace Festival” që me fillim në ora 21:00 do të sjellë në Sheshin Skenderbeu yjet e estradës muzikore shqiptare si: Ermal Fejzullahun, Kidën, Majk, Lumi B, Nora Istrefin dhe Fifin.
Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Artan Grubi nën përkujdesin e të cilit organizohet ky festival ka shprehur se qëllimi është ai të shëndrrohet në organizim tradicional në përvjetoret e Marrëveshjes së Ohrit, sëbashku me Shkollën për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue” që po zhvillohet këto ditë në Mavrovë me piesëmarrje të mbi 60 të rinjve dhe të rejave.
Grubi ka potencuar se përvjetoret e Marrëveshjes së Ohrit i takojnë mbi të gjitha rinisë, e cila duhet të reflektojë dhe të punojë mbi vlerat e paqes, barazisë dhe demokracisë konsensuale që i etabloi ky dokument me peshë jashtëzakonisht të madhe për ekzistencën e Maqedonisë së Veriut.